Ballina Shëndetësi Jepini më shumë kohë punonjësve për gjumë, zgjimi i hershëm i dëmshëm

Jepini më shumë kohë punonjësve për gjumë, zgjimi i hershëm i dëmshëm

Njerëzit që rrinë zgjuar deri vonë dhe kanë vështirësi të lënë krevatin e tyre në mëngjes, janë më të rrezikuar nga vdekja e hershme. Një studim me mbi 433,000 britanikë nga Universiteti i Surrey dhe Universiteti Northwestern, zbuloi se këta persona kanë 10% më shumë rrezik për të vdekur më herët.
Ora biologjike e këtyre personave nuk përshtatet me mjedisin e jashtëm.

Hulumtuesit vunë re një seri të sjelljeve të pashëndetshme lidhur me njerëz që qëndrojnë zgjuar gjatë natës.

“Mund të ndikojë stresi psikologjik, ushqyerja në kohën e gabuar për trupin, mungesa e ushtrimeve fizike, mungesa e gjumit, ndoshta dhe përdorimi i drogës apo alkoolit,” – thotë Kristen Knutson bashkë-autor i studimit.

Njerëzit që flenë vonë gjithashtu kanë më shumë shanse për të qenë diabetik si dhe për të përjetuar çrregullime psikologjike dhe neurologjike.
Por shkencëtarët gjithashtu thonë se kompanitë duhet t’i lënë punonjësit e tyre të flenë gjumë dhe të fillojnë punën pak më vonë. Sepse disa janë “bufa nate të lindur” dhe ata e kanë shumë të vështirë të çohen nga krevati herët në mëngjes.

Një tjetër studim ka zbuluar se puna që nis herët mund të jetë e dëmshme për shëndetin. Bufat e natës nuk duhet të urdhërohen për ta nisur punën në një orar me të cilin ata nuk bëjnë dot kompromis.