Ballina BOTA Jemen, dialog paqeje kundër luftës 3-vjeçare

Jemen, dialog paqeje kundër luftës 3-vjeçare

Dy palët në luftën 3-vjeçare të Jemenit po sinjalizojnë se mund të jenë të gatshme për t’i dhënë fund luftimeve. Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga sauditët që mbështet qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit ka urdhëruar ndaljen e ofensivës së vet ndaj portit të rëndësishëm të vendit, Hodeida, hyrja kryesore e importeve të ushqimit në Jemen.

Kryengritësit Houthi të mbështetur nga Irani thonë se po ndalin goditjet me dronë dhe raketa ndaj forcave të koalicionit. Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për një armëpushim që do t’i jepte fund krizës së thellë humanitare në vend.

Sipas Kombeve të Bashkuara, të paktën 10 mijë vetë janë vrarë në luftën e Jemenit deri tani dhe miliona vetë nuk kanë qasje të qendrueshme në ushqime. Zyrtarët e OKB-së thonë se bombardimi i civilëve, bllokimi i ndihmave ushqimore dhe shkelje të tjera të parimeve humanitare, kanë shkaktuar katastrofën më të rëndë humanitare në botë.

“Nuk jemi në prag të katastrofës. Jemi në mes të katastrofës”, – thotë David Beasley i Programit Botëror të Ushqimit.

Konflikti shihet si një luftë jo e drejtpërdrejtë mes Arabisë Saudite dhe Iranit. Një projekt-rezolutë e paraqitur nga Britania në OKB, u bën thirrje palëve ndërluftuese që ndalin sulmet dhe të negociojnë për paqe. Mbreti saudit Salman tha të hënën se vendi i tij do ta mbështesë përpjekjen ndërkombëtare por shtoi se vendi i tij ka detyrimin t’i mbrojë jemenasit nga ndërhyrja e Iranit.