Ballina BOTA Japoni, kryebashkiaku Veliaj: Shqipëria port hyrëse për investimet japoneze

Japoni, kryebashkiaku Veliaj: Shqipëria port hyrëse për investimet japoneze

Eksperienca japoneze në menaxhimin e emergjencave civile dhe fatkeqësive natyrore, si dhe një transport publik miqësor me mjedisin ishin temat e vizitës së kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në Japoni.

Në takimin me Guvernatoren e Tokios, Yuriko Koike, kryebashkiaku Veliaj diskutoi mbi rritjen e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy qyteteve për një sërë projektesh konkrete. Disa nga fushat e bashkëpunimit kishin të bënin pikërisht me emergjencat civile, pastrimin dhe transportin publik.

“Ndihem posaçërisht i lumtur për takimin me guvernatoren e Tokios, një qytet i stërmadh me 30 milionë banorë, e megjithatë ka sfida të ngjashme kur vjen puna tek menaxhimi i emergjencave civile, siç është çështja e pastrimit. Ajo që dakordësuam është se në fushën e emergjencave civile, vitin tjetër do të fillojmë një projekt të veçantë me Bashkinë e Tokios, kryesisht për të menaxhuar ato që shihen si më problematike, siç janë zjarret, përmbytjet apo të gjithë ndërhyrjet e tjera që duhet të bëjmë në një rrjet infrastrukture që e bën qytetin më të qëndrueshëm, sidomos me ndryshimet klimaterike. Mezi pres, po ashtu, që edhe në çështjet e transportit publik, me gjithë transferimin që po u bëjmë flotave tona në transportin elektrik, të kemi më shumë për të mësuar nga Tokio”, – tha Veliaj.

Ai zhvilloi më tej një takim, edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Japonisë, Taro Kono. Ata vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve tona, ndërsa theksuan nevojën për të shtuar bashkëpunimet konkrete, sidomos në fushën e investimeve dhe zhvillimit të biznesit.