Ballina Aktualitet Ja 27 deputetët e opozitës së re që duan shkarkimin e Presidentit

Ja 27 deputetët e opozitës së re që duan shkarkimin e Presidentit

27 deputetë të opozitës së re në Kuvendin e Shqipërisë mbështesin nismën e Partisë Socialiste për shkarkimin nga detyra të Presidentit Ilir Meta, pas vendimit të paprecedentë dhe pa bazë ligjore për zhbërjen zgjedhjeve të 30 qershorit. Media ka identifikuar emrat e deputetëve të opozitës së re, të cilët votuan gjatë seancës së ditës së enjte pro rezolutës, e cila kundërshton dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve, denoncon aktin e Presidentit si antikushtetues, konfirmon vullnetin për zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor si dhe paralajmëron kreun e shtetit që të reflektojë dhe të mos ndërmarrë asnjë hap tjetër antikushtetues. Nga 100 deputetë që votuan pro rezolutës, 27 i përkasin opozitës së re. Në kushte kur shumica ka 79 vota në Kuvend, votimi i rezolutës konfirmon se maxhoranca ka siguruar 106 vota nga 94 që duhen për shkarkimin e kreut të shtetit. Nga grupi parlamentar demokrat kanë votuar pro rezolutës dhe rrjedhimisht janë pro shkarkimit të Ilir Metës: Arlind Cacani, Arben Elezi, Halil Jakimi, Korab Lita, Myslim Murrizi, Halit Valteri dhe Alban Zeneli.

Në radhët e deputetëve të pavarur kanë votuar pro rezolutës kundër dekretit të Metës: Ediola Braha, Aurora Mara, Nimet Musaj, Enver Roshi dhe Ylli Shehu. Ndërkaq, pro rezolutës kanë votuar edhe 15 deputetë, të cilët nuk i përkasin asnjë grupi parlamentar në Kuvend. Ata janë: Eugen Bojaxhiu, Kujtim Gjuzi, Majlinda Halilaj, Selami Janishehri, Ligoraq Karamelo, Reme Lala, Ervis Meço, Kostaq Papa, Andi Përmeti, Edmond Rrushi, Krenar Rryçi, Nikolin Staka, Edmond Stojku, Elena Xhina dhe Zef Shqefni. Përveç deputetes Reme Lala e cila ishte pjesë e listave të PDIU, të gjithë deputetët e tjerë u përkasin listave të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet parlamentare të 2017. Nuk ka dyshim se ky votim ishte një test dhe provë force nga mazhorancës qeverisëse, e cila i dha një mesazh të qartë presidentit Meta se është gati ta shkarkojë. Pak orë më pas, kryeministri Edi Rama i bëri thirrje Metës që ta lexojë mirë votimin pro rezolutës. Por, nga ana e tij, Meta i është përgjigjur një ditë më pas, duke kërcënuar me shpërndarje parlamenti.

Të hënën nis procedura e shkarkimit

Mazhoranca do të dorëzojë ditën e hënë në Kuvend kërkesën me firmat e deputetëve për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Për të nisur procedurat e shkarkimit mjaftojnë 35 firma, por PS-ja ka mbledhur 55, mes të cilëve mësohet se janë edhe deputetë nga opozita e re. Deputeti socialist, njëherazi dhe kryetar i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja në takimin me banorët e njësisë nr. 11 ka njoftuar se procedura për shkarkimin e Metës do të nisë të hënën. “Ditën e hënë futet në furrë. Ka qenë në ngrirje, fillon dhe shkrihet nga e hëna”, tha Manja.

Deputetët

27 deputetë të opozitës së re në Kuvendin e Shqipërisë mbështesin nismën e Partisë Socialiste për shkarkimin nga detyra të Presidentit Ilir Meta, pas vendimit të paprecedentë, të njëanshëm dhe pa bazë ligjore për zhbërjen zgjedhjeve të 30 qershorit.

Shkarkimi

Mazhoranca do të dorëzojë ditën e hënë në Kuvend kërkesën me firmat e deputetëve për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, për shkelje të rëndë të Kushtetutës me dekretin për anulimin e zgjedhjeve.

Deputetët e opozitës së re që votuan rezolutën kundër Metës

Eugen Bojaxhiu (pa grup parlamentar)

Kujtim Gjuzi (pa grup parlamentar)

Majlinda Halilaj (pa grup parlamentar)

Selami Janishehri (pa grup parlamentar)

Ligoraq Karamelo  (pa grup parlamentar)

Reme Lala (pa grup parlamentar)

Ervis Meço (pa grup parlamentar)

Kostaq Papa (pa grup parlamentar)

Andi Përmeti (pa grup parlamentar)

Edmond Rrushi (pa grup parlamentar)

Krenar Rryçi (pa grup parlamentar)

Nikolin Staka (pa grup parlamentar)

Edmond Stojku (pa grup parlamentar)

Elena Xhina (pa grup parlamentar)

Zef Shqefni (pa grup parlamentar)

Ediola Braha (e pa varur)

Aurora Mara (e pa varur)

Nimet Musaj (i pa varur)

Enver Roshi (i pa varur)

Ylli Shehu (i pa varur)

Arlind Cacani (grupi parlamentar demokrat)

Arben Elezi (grupi parlamentar demokrat)

Halil Jakimi (grupi parlamentar demokrat)

Korab Lita (grupi parlamentar demokrat)

Myslim Murrizi (grupi parlamentar demokrat)

Halit Valteri (grupi parlamentar demokrat)

Alban Zeneli (grupi parlamentar demokrat)

Procedura për shkarkimin e Presidentit

Etapa e parë, kërkesa

Sipas nenit 112 të Rregullores së Kuvendit si fillim duhet që të bëhet kërkesa nga “Jo më pak se një e katërta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit mund të propozojë shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës..”.

Etapa e dytë, shqyrtimi nga “Ligjet”

Pas paraqitjes së kërkesës ajo fillimisht shqyrtohet nga Komisioni i Ligjeve, i cili ka të drejtën e propozimit ose jo të krijimit të një Komisioni Hetimor. Komisioni i Ligjeve

brenda 15 ditëve i paraqet Kuvendit raportin dhe propozimin e tij për ngritjen ose mos ngritjen e një komisioni hetimor.

Etapa e tretë, ngritja e Komisionit Hetimor

Pasi Komisioni i Ligjeve harton raportin, ai votohet nga Kuvendi në seancë plenare. Kështu në rast se “Ligjet” propozojnë vazhdimin e procedurës së shkarkimit dhe ngritjen e një Komisioni Hetimor ndaj presidentit, kjo duhet të miratohet nga Parlamenti, pa u specifikuar numri i votave, pra me shumicë të thjeshtë. Në rast se raporti rrëzohet nga shumica e deputetëve atëherë procedura e shkarkimit ndërpritet. “Kuvendi zhvillon debat në seancë plenare jo më vonë se 7 ditë nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe në përputhje me kohën e përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje. Në rast se Kuvendi rrëzon nëpërmjet votimit raportin dhe propozimin e paraqitur, procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës ndërpritet. Kuvendi për të njëjtin motiv nuk mund të vendosë përsëri edhe nëse kërkesa paraqitet nga një grup tjetër deputetësh. Në rast se Kuvendi pranon nëpërmjet votimit raportin dhe propozimin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ngre brenda 2 ditëve një komision hetimor për këtë çështje. Komisioni hetimor është i detyruar të thërrasë dhe të dëgjojë mendimin e Presidentit të Republikës në lidhje me propozimin e paraqitur. Në përfundim të hetimit, komisioni hetimor duhet t’i paraqesë Kuvendit në mënyrë të arsyetuar nëse ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e Presidentit të Republikës.”

Etapa e katërt votimi në seancë

Vetëm pasi përfundojnë të gjitha etapat e mësipërme arrihet në votim në seancën plenare, ku do të duhen të votojnë pro shkarkimit 2/3 e deputetëve, pra 94 vota. “Kuvendi shqyrton raportin e komisionit hetimor në një seancë të veçantë brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Konferenca e Kryetarëve përcakton datën e votimit në Kuvend të kërkesës për shkarkim të Presidentit të Republikës dhe kohën e debatit, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje. Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është I detyruar ta dëgjojë atë. Kuvendi vendos për shkarkimin e Presidentit të Republikës me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij dhe me votim të fshehtë.”, thuhen në pikën 4 të nenin 112.

Etapa e pestë, Gjykata Kushtetuese

Në fund të votimit sqarohet se: “Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës i dërgohet Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Kuvendit brenda 5 ditëve nga marrja e tij”. Pra pas kësaj procedure jo aq të shkurtër si nga ana procedurale edhe kohore, vendimi përfundimtar merret nga Gjykata Kushtetuese.