Ballina RAJONI Italia në garë me kohën mbi dorëzimin e buxhetit 2019

Italia në garë me kohën mbi dorëzimin e buxhetit 2019

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte injoroi rrezikun e borxhit të madh, ndërkohë që shprehu besim te politikat ekonomike kontroverse të Qeverisë së tij.  “Borxhi duhet mbajtur nën mbikëqyrje, por nuk është i tillë për të shkaktuar frikë”, tha Conte duke shtuar se themelet e ekonomisë italiane janë të qëndrueshme. Qeveria populiste ka deri më datë 31 Dhjetor kohë që të kalojë ligjin e buxhetit 2019, pas debateve me partnerët e Bashkimit Europian.

Ndërkohë që negociatat me Brukselin sollën uljen e objektivit të deficitit buxhetor në 2.04% në 2019-ën, nga 2.4% që propozonte qeveria populiste, shpenzimet e projektuara në buxhet rrezikojnë rritjen e borxhit të vendit, nëse nuk arrihen objektivat e rritjes ekonomike.

Borxhi i Italisë qëndron mbi 130% të Produktit të Brendshëm Bruto, që është norma e dytë më e madhe në Eurozonë, pas Greqisë. Conte tha se rritja me 1% e projektuar në buxhetin e 2019-ës përbën një kufi minimal.  “Është e pamundur që ne të mos arrijmë një rritje të fortë ekonomike”,  tha Conte duke lajmëruar taksat më të larta për bankat dhe kompanitë e huaja.