Itali/Trupat e tyre u gjendën brenda disa valixheve, dalin detaje të reja për çiftin shqiptar

228

Prokurorët italianë po hetojnë intensivisht për zbardhjen e vrasjes së Shpëtim e Teuta Pashos, çiftit shqiptar nga Vlora që prej disa kohësh jetonte në Itali për të mësuar detaje në lidhje me burgosjen e djalit të tyre, Taulantit.

Policia italiane ka zbuluar se ekziston një shtëpi e dytë e përfshirë në ngjarje. Kjo shtëpi ndodhet në Novoli dhe dyshohet se mund të ketë një rol vendimtar në zbardhjen e detajeve të ngjarjes.

E quajtur si shtëpia “fantazmë” pasi nuk ishte përmendur më parë në dokumentet e prokurorisë ky apartament dyshohet se është vendi ku Shpëtimi e Teuta kanë qëndruar pak pasi kanë ardhur në Itali.

“Çifti ishte në zonën e Novolit, – i tha avokati i Elonës, gazetës “La Repubblica”. – Më 2 nëntor ajo drekoi me partnerin e saj, vetëm, në shtëpinë e tyre në ‘via del Pantano’, ku jetonin”, – shtoi avokati.

Nëse këto dyshime dalin të bazuara, kjo mund të jetë shtëpia ku është konsumuar krimi si dhe shtëpia ku kufomat mund të kenë qenë të fshehura, para se të gjendeshin pranë burgut Sollicciano në tokat bujqësore përgjatë autostradës Firence-Piza-Livorno.

Nga këqyrja e trupave është zbuluar se Shpëtim Pasho, mund të jetë sulmuar befasisht në gjumë. Ai ka shenja thike dhe jo dhune, çfarë i bën hetuesit të dalin në përfundimin se viktima është vrarë në gjumë.

Por Teuta nuk ka patur të njëjtin fat. Nga këqyrja e kufomës, gruaja rezulton se është rrahur për vdekje pasi ka hematoma dhe kocka të thyera.

E gjithë ngjarja mendohet të ketë ndodhur, teksa çifti flinte, pasi të dy kanë të veshur pizhama gjumi.

Pas vrasjes, trupat janë copëtuar me sharra elektrike e janë mbuluar me materiale të ndryshme.

Nga këqyrja e trupave ka dalë në pah gjithashtu se nuk ishin të dekompozuar në shkallë të lartë. Kjo bën të mendohet se mund të jenë mbajtur në frigorifer.

Çifti shqiptar u gjend më 15 dhjetor pas kërkimeve të shumta të familjes edhe policisë.