Ballina Aktualitet Itali, reportazhi i Face Magazine për Tiranën: “Come è cool Tirana”

Itali, reportazhi i Face Magazine për Tiranën: “Come è cool Tirana”

Një ndër revistat më të njohura në Itali, Face Magazine, ka gjetur mjaft këndshëm anët më pozitive të Tiranës së kohëvë të sotme, duke i kushtuar një reportazh ndryshimeve të fundit dhe aktualitetit të kryeqytetit. “Come è cool Tirana” është titulli dhe nisja e reportazhit dedikuar kryeqytetit shqiptar. “Rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 4 përqind, bum turistik, Shqipëria e re shikon drejt së ardhmes dhe ëndërron Evropën,” – vijon më tej reportazhi i Marta Foresi.

Vitet e errëta të socializmit brutal të Enver Hoxhës janë larg e më larg, që nga 8 gusht 1991, kur anija “Vlora” u ankorua në portin e Barit, e ngarkuar me 20 mijë shqiptarë që iknin nga regjimi dhe varfëria. Sot, shqiponjat e mëdha, simboli i vendit, fluturojnë më lart. Ekonomia rritet me 4 përqind, duke tejkaluar parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore.

Kryeministri karizmatik Edi Rama është njeriu i momentit. Arkitekt, artist, ish-krzebashkiak i Tiranës dhe ish-ministër i kulturës, ai ishte shpikësi i projektit të rizhvillimit urban, që ngjyroste ndërtesat gri të ndërtuara në stilin socialist. E kaluara është një kujtesë e largët. E vetmja reminishencë është Xhamia Muradie, një kishë bizantine e transformuar në xhami nga osmanët në 1537. “Blloku” është tani simboli i Tiranës së re. Këtu dikur jetonin zyrtarët e regjimit komunist, ndërsa sot është një vend plot bare dhe kafene, restorante dhe dyqane të modës.

Tatimi i ulët dhe masat rregullatore më të thjeshta kanë sjellë shumë italianë dhe evropianë në vend, të cilët kanë vendosur të investojnë në Shqipëri.

Në Shqipërinë e re, turizmi fluturon në sajë të çmimeve të ulëta, plazheve të bukura dhe kuriozitetit për të zbuluar një destinacion të ri pushimi. Mbi 1,9 milionë të huaj hynë në vend në gjysmën e parë të vitit 2018, 9 përqind më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2017. Në vetëm dy muaj, nga qershori deri në korrik të këtij viti, numri i kompanive që operojnë në zonat turistike është rritur me 58 përqind dhe janë regjistruar 1 531 biznese të reja në zonat bregdetare të Durrësit, Lezhës, Shkodrës dhe Vlorës.

Bumi sjell mundësi, por gjithashtu edhe rrezik. Betoni gjithashtu rritet bashkë me ekonominë. Në mungesë të planeve rregulluese, objektet e ndërtuara rrezikojnë shumë zonat arkeologjike.

Por, sipas reportazhit të Face Magazine, kjo është Shqipëria dhe kryeqyteti i saj Tirana, një vend që zhvillohet, në disa raste edhe kuturu, por që gjithsesi kanë dëshirën për të ecur përpara.