Ballina Showbiz Itali, ndahet nga jeta në moshën 77 vjeçare regjisori i famshëm Bernardo...

Itali, ndahet nga jeta në moshën 77 vjeçare regjisori i famshëm Bernardo Bertolucci

Është shuar në moshën 77 vjeçare Bernardo Bertolucci, një nga regjisorët e mëdhenj të kinemasë italiane.

Autor i kryeveprave si “Tango e fundit në Paris”, “Nëntëqind” dhe “Imperatori i fundit”, Bertolucci vdiq pas një sëmundjeje të rëndë në Romë.

Një mjeshtër i madh i kinemasë që preku zemrat e shume njerëzve, por që gjithashtu influencoi në shoqëri me veprat e tij duke thyer shumë tabu.

I rritur në një rreth intelektual, Bertoluçi filloi të shkruante në moshën 15-vjeçare, dhe fitoi edhe çmime lokale letrare me librin e tij të parë.

Potencialin e Bertoluçit si kineast e kishin spikatur edhe regjisorë të tjerë, si Serxho Leone, i cili i pati kërkuar t’i shkruante një rrëfim për filmin e tij “C’era una volta il West”, (Na ishte njëherë Perëndimi i egër), të cilin e kishte refuzuar duke thënë se ishte shumë kompleks për shijen e publikut amerikan.

Bertoluçi realizoi filmin e tij antologjik “Tangoja e fundit në Paris” me kolosin Marlon Brando dhe aktoren e re Maria Shnajder, i cili u bë shembull se si filmat italian mund të fitonin më tepër me angazhimin e aktorëve të huaj në filmat e tyre.

“Perandori i Fundit” ishte një ndër veprat e tij më monumentale për të cilin mori lejen të xhironte në qytetin e ndaluar në Pekinit, që ishte diçka pa precedent deri atëherë.

Filmi ka fituar 8 çmime Oscar – si filmi më i mirë, skenografia më e mirë, fotografia, dizajni i kostumeve, regjisori më i mirë, montimi më i mirë, muzika dhe skenari i adaptuar.