Ballina Uncategorized Itali, kryeministri Giuseppe Conte me një propozim të ri buxheti për BE-në

Itali, kryeministri Giuseppe Conte me një propozim të ri buxheti për BE-në

Kryeministri italian, Giuseppe Conte pritet t’i prezantojë Brukselit një propozim të ri mbi buxhetin e vitit 2019, në orët e ardhshme, me synimin për të shmangur kështu proçedurat disiplinore nga Bashkimi Europian.

Italia kishte hartuar një projektbuxhet ekspansionist, që parashikonte një rritje të defiçitit në 2.4 për qind të prodhimit kombëtar (PBB-së) në vitin 2019, nga 1.8 që ishte për vitin aktual.

Bashkimi Europian e ka refuzuar propozimin italian, duke thënë se planet e qeverisë populiste nuk do ta ulnin borxhin publik të Italisë në përputhje me rregullat e unionit, ndaj ka urdhëruar Romën zyrtare ta rishikojë buxhetin në mënyrë që të shmangë një proçedurë që do të ishte shembullore dhe do të çonte në gjoba të rënda.
Conte tha se propozimi i ri do të përfshijë në mënyrë të arsyeshme një defiçit më të ulët sesa parashikimi i mëparshëm, por nuk dha detaje mbi planin e tij.

“Objektivi im është të shmang penalizimin e Italisë, që gjithsesi do të dëmtonte vendin tonë dhe do të rrezikonte të dëmtonte edhe Europën, – tha Conte për të përditshmen italiane “Avvenire”. – Jam duke e përfunduar propozimin që Bashkimi Europian do të duhet ta marrë në konsideratë më pas. Ai pritet të jetë gati në orët e ardhshme”.