Ballina RAJONI Itali, ekonomia vazhdon të kontraktohet

Itali, ekonomia vazhdon të kontraktohet

Sipas shifrave zyrtare nga agjencia italiane e statistikave, bëhet me dije se Italia ka rënë në recension, e se ekonomia e saj është kontraktuar për të dytin tremujor radhazi në fund të vitit.

Ekonomia italiane është e treta më e madhja në eurozonë, por produkti i saj i brendshëm bruto, ra me 0.2 përqind mes tetorit dhe dhjetorit. Kjo vjen pas një rënieje prek 0.1 përqindësh në tremujorin e tretë, dhe është 0.1 për qind më e lartë në bazë vjetore.

Kjo rënie ka intensifikuar shqetësimet për ekonominë e eurozonës. Kritikët thanë se rënia ekonomike ka ardhur si pasojë e përplasjeve mes mes partive të koalicionit qeverisës dhe Brukselit në lidhje me politikat fiskale, ç’ka edhe ka krijuar një humbje të besimit tek tregjet. Kjo ka rritur koston e huamarrjes për Italinë dhe ka dëmtuar ekonominë.

Sidoqoftë, ekspertët thonë se rënia ekonomike e Italisë ka filluar prej vitesh. Sipas tyre, ekonomia italiane është rritur më pak se mesatarja e vendeve të tjera evropiane për 25 vitet e fundit. Italia ka ndërkohë një borxh publik prej 2.3 trilion eurosh.

Kryeministri Giusepe Conte, fajësoi përplasjen tregtare mes SHBA dhe Kinës që sipas tij ka prekur eksportet e Italisë. Kina dhe Gjermania janë partnerët më të mëdhenj tregtarë të Italisë.

“Kjo është një fazë tranzicioni pasi vjen si pasojë e një përplasjeje tarifash që po ndodh tani. Pra, nuk jemi të shqetësuar. Ajo që na shqetëson është përqendrimi tek rilançimi i ekonomisë sonë që me siguri do të ndodhë në 2019, pasi masat ekonomike që ne kemi marrë në buxhet do të fillojnë të japin efekte,” – tha Conte.