Mësuesit e sportit dhe mjekët e fëmijëve vërejnë së fundmi që lëvizjet e tyre janë të pamjaftueshme, dhe se shumë të rinj kanë një qëndrim të keq të trupit, që arrin deri tek dëmtimi i kurrizit. Mënyra jonë e jetesës dhe ambienti që na rrethon kanë ndryshuar shumë në dhjetëvjetëshin e fundit edhe për sa i përket teknologjisë.

Mediat, lojërat e teknoligjisë së fundit dhe interneti janë kthyer sot në një pjesë të pandashme të fëmijëve, duke i shkaktuar një varësi mjaft të rrezikshme për ta. Konsumi medial do të thotë kufizim për aktivitetin trupor dhe mendor, por gjithashtu është edhe një rrezikshmëri e madhe për sigurinë dhe rritjen e tyre.

Një rëndësi mjaft të madhe ka edhe kontrolli i tyre, pasi pa zgjedhur e pa kontrolluar shikojnë çdo gjë që transmetohet.

Gjithmonë e më shumë dëgjojmë me qindra raste të miturish që bien pre e abuzimeve nëpërmjet komunikimit virtual, si ajo pornografik, e shfrytëzimit të të rinjve dhe grupeve kriminale, duke shpërdoruar kohën e tyre, e duke u dëmtuar si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht. Ata i janë drejtuar botës virtuale, pasi sot familjet shqiptare e kanë lehtësisht të mundur në shtëpitë e tyre.

Prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm se fëmijët e tyre janë duke u rritur bashkë me anët pozitive dhe negative te teknologjisë. Nuk ju kërkohet që t’i izoloni nga ky avancim, pasi është e pamundur që të përjashtosh fëmijën nga realiteti, por mund t’i rrini afër dhe të keni akses për veprimet e tyre. Ndiqini për së largu dhe jini sa më të afërt me ta. Lundrimi në internet është një lehtësi e madhe por është thjeshtë një e shkëputur, pasi rëndësia dhe dashuria e vërtetë qëndron tek ju prindër.