Ballina Aktualitet INSTAT: Ulet pagesa e ndihmës ekonomike

INSTAT: Ulet pagesa e ndihmës ekonomike

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, numri i familjeve që trajtojnë me ndihmë ekonomike ka rënë më tej gjatë tremujorit të tretë të vitit, por ndërkohë ka rënë edhe pagesa mujore e ndihmës ekonomike për familje.

Në tremujorin e tretë të vitit u trajtuan me ndihmë ekonomike 52.9 mijë familje në të gjithë vendin, ose 174 familje më pak se në tremujorin e dytë. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë numri i familjeve që u trajtuan me ndihmë ekonomike ishte 34 përqind më i ulët, ose 27.5 mijë familje më pak.

Në tremujorin e tretë pagesa mujore e ndihmës ekonomike ra me 3% në raport me tremujorin e dytë të vitit 2018. Të dhënat zyrtare tregojnë se masa mujore mesatare e ndihmës ekonomike në tremujorin e tretë ishte 5,081 lekë nga 5,247 lekë që ishte në tremujorin e dytë.

Në fillim të vitit të kaluar qeveria aplikoi një reformë në ndihmën ekonomike e cila do të reduktonte numrin e përfituesve me qëllim rritjen e përfitimeve për familjet me nevoja ekstreme. Por duket se skema ka funksionuar vetëm në njërën anë, të atë përjashtimit nga ndihma, teksa përfitimet janë rreth 5,100 lekë nga rreth 4,200 lekë që ishin më 2016.