Ballina BOTA Indi, Rohingat nën frikën e deportimeve

Indi, Rohingat nën frikën e deportimeve

Në Indi, deportimi i parë i rohingave për në Mianmar ka zgjuar shqetësimet për deportime të tjera nga të 40 mijë rohingat që jetojnë në këtë vend. Kjo ndodh ndërkohë që qeveria nacionaliste e etnisë hindu po mban qëndrim të ashpër ndaj imigrantëve të paligjshëm. Sot ata shqetësohen për sigurinë dhe jetën nëse i kthejnë në Mianmar.

Rohingat në këtë kamp refugjatësh jetojnë në vendstrehime të mbingarkuara, kanë vetëm një burim uji të pishëm ndërsa fëmijët ndjekin shkolla provizore. Por ata e durojnë këtë situatë në kampin e refugjatëve në distriktin Mewat të shtetit Haryana, pasi u ka ofruar strehë të sigurtë pas përndjekjes që kanë vuajtur në atdheun e tyre.

“Askush nuk na përndjek këtu në Indi. Nëse gjejmë punë, sigurojmë ushqimin pa problem,” – thotë Fatime Hatu, një refugjate rohinga.

Por, 45 familjet që jetojnë këtu prej gjashtë vitesh shqetësohen se mund të detyrohen të largohen. Ali Zohar, i cili është përfaqësues i banorëve të kampit, shpreh frikën se është hapur rruga për deportime, pasi shtatë rohinga nga pjesa verilindore e Indisë u deportuan në Mianmar.

“Mua më është shkatërruar jeta. Po si t’ia bëj për fëmijët? Mos do u duhet të kthehen? Më dhemb koka thjesht kur e mendoj”, – thotë ai. Banorët në këto kampe shpresojnë se kartat që kanë marrë nga zyra e Komisionerit të Lartë të OKB për Refugjatët do t’i mbrojnë nga dëbimi për herë të dytë, pasi shtatë rohingat e dëbuar nuk ishin të pajisur me këto karta.