Ballina Aktualitet Indeksi 2018, shqiptarët ndër më ‘kurnacët’ në Evropë

Indeksi 2018, shqiptarët ndër më ‘kurnacët’ në Evropë

Indeksi Global i të Dhënit 2018, i publikuar së fundmi nga Instituti CAF (Charity Aid Foundation) në raportin e tij të fundit pohon se vetëm 26 përqind e shqiptarëve janë bujarë dhe të sjellshëm dhe zyrtarisht, sipas tij jemi ndër më ‘kurnacët’ në Evropë.

Nga 140 shtete të marra në shqyrtim, Shqipëria renditet e 108 për sa i përket bujarisë. Sipas raportit, Shqipëria ka humbur plot 13 shkallë nga raporti i 2017.
Më mirë në rajon renditet Kosova në vendin e 66, e cila ndiqet nga Bosnje dhe Hercegovina e 90-ta, Mali i Zi i 116, Serbia e 129 dhe Maqedonia e 130.

Sipas specifikimeve, 42 % e shqiptarëve nuk hezitojnë që të ndihmojnë një të huaj kur i kërkon ndihmë, duke u renditur të 108-tët në botë. Nga ana tjetër, 28 % e shqiptarëve kanë dhuruar para vitin e shkuar, duke u renditur kështu të 64-tët në botë. Ndërsa sa i përket dhurimit të kohës për vullnetarizëm, 7 % e shqiptarëve kanë dhuruar kohën e tyre për bamirësi ose ndonjë kauzë të ngjashme, duke u konsideruar kështu në 10-tëshen e fundit në botë për këtë indikatorë, përkatësisht të 134.

Edhe sipas një tjetër studimi të vitit të shkuar, nga sondazhet e Gallup International, shqiptarët rezultonin çuditërisht ndër popujt e vetëm në botë që preferojnë të dhurojnë para dhe jo kohë për bamirësi.