I zhvati të dashurës 3 mijë euro me anë të shantazhit, arrestohet i riu nga Tirana

99

Një 24-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim me akuzën “shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, është arrestuar nga Policia e Tiranës.

Sipas uniformave blu, i riu mësohet se nëpërmjet rrjeteve sociale ka kanosur ish-të dashurën e tij, duke e shtrënguar për dhënie të pasurisë.

Burimet mediatike, shprehen se 24-vjeçari i arrestuar për gjobvënie është Kataldo K. I riu akuzohet se përmes një videoje intime, i ka bërë shantazh ish-të dashurës, duke i kërkuar një shumë të konsiderueshme parash prej 5 mijë eurosh.

Vajza që vjen nga një familje e pasur, ka denoncuar se më herët Kataldo i ka kërkuar shuma të tjera parash që arrijnë në shifrën 3 mijë euro, duke ia dhënë atij në kohë të ndryshme.

24-vjeçari, sipas burimeve, jetonte më së shumti në Angli dhe atje ka qenë i proceduar penalisht për vjedhje.

“Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit K. K., 24 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, pasi nëpërmjet rrjeteve sociale ka kanosur një shtetase, duke e shtrënguar për dhënie pasurie”, – njoftoi policia.