I vodhën me forcë varsen e floririt pronarit të picerisë, arrestohen 3 persona

159

Tre persona, me inicialet H.T., P.Ll., dhe K.V., janë arrestuar nga Policia e Fierit, për shkak se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë marrë me dhunë një varëse floriri që kishte në qafë pronari i një picerie.

Ngjarja ka ndodhur në orën 02:35 mniuta në lagjen “Kastriot” të qytetit të Fierit dhe policia thotë se një nga autorët e dyshuar të ngjarjes, i cili po largohej me automjetin tip “Benz” në drejtim të fshatit Hamil është kapur menjëherë pas vjedhjes. Pas testit të alkoolit, rezultoi se ky i fundit (H.T., 28 vjeç, banues në Fier), po drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Më pas, në pranga janë vënë edhe dy bashkëpunëtorët e tij, të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje: P.Ll., 29 vjeç dhe K.V., 27 vjeç, banues në Shtyllas të Fierit.

Policia shpjegon edhe dinamikën e ngjarjes. Shtetasit H. T., P. Ll. dhe K. V. kanë shkuar në subjektin piceri ‘delivery’ në pronësi të shtetasit L.H., dhe pas një konflikti me këtë shtetas, i kanë marrë me dhunë varësen e floririt që ai mbante në qafë.

I ndaluari i parë, shtetasi H.T., akuzohet për veprat penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, ndërsa shtetasit P. Ll., dhe K. V.,për veprën penale “Vjedhje me dhunë” e kryer në bashkëpunim. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua varësja e floririt.