I ngacmoi punonjësen, pronari nga Tirana bën për spital të riun

76

2 persona janë arrestuar nga policia e Tiranës, si pasojë e një konflikti që ka ndodhur në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë, ku për pasojë ka mbetur i plagosur një 22-vjeçar. Ky i fundit kishte hyrë në një dyqan të zonës, dhe kishte kanosur një prej punonjëseve.

Menjëherë pasi ka parë skenën, pronari i biznesit ka shkuar dhe e ka plagosur të riun, ndërsa policia nuk bën me dije nëse janë përdorur armë, apo plagosja ka ardhur si pasojë e konfliktit fizik. Në fundin e hetimeve është arrestuar dhe vetë i plagosuri, pasi gjatë kontrollit fizik i është gjetur një armë e ftohtë.

Njoftimi i policisë:

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 u bë arrestimi në flagrancë të shtetasve:

E.H., 37 vjeç, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe J. K., 22 vjeç, për veprat “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, pasi me datë 03.08.2021, në rrugën “Sami Frashëri” këta 2 shtetas janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, sepse shtetasi J. K. ka kanosur një punonjëse në dyqanin në pronësi të shtetasit E. H.

Si pasojë e konfliktit është dëmtuar shtetasi J. K., i cili ndodhet më spital, nën kujdesin e mjekëve. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit fizik shtetasit J. K. iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e ftohtë.