I dënuar për drogë në Gjermani, 29 vjeçari “kapet” me kokainë në Durrës

53

Një 29-vjeçar, banues në Maminas, është vënë në pranga në Durrës, pasi është kapur me armë zjarri dhe me doza kokaine gati për shitje.

Policia thotë se shtetasit me iniciale Sh.H., i janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike e llojit kokainë.

I riu, sipas policisë ka qenë i dënuar më parë në Gjermani, për trafikim të lëndëve narkotike.

“Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave më kërkim, atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete apo që ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Durrës, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri pa leje dhe ushtronte veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Nënkalimi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: Sh. H., 29 vjeç, banues në Maminas, Durrës, i dënuar më parë në Gjermani, për trafikim të lëndëve narkotike. Në vendin e quajtur “Ura e Dajlanit”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar mjetin tip “Volkswagen” me drejtues shtetasin Sh. H.” – njofton policia.

Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin qarkullonte ky shtetas, policia gjeti një armë zjarri, 1 krehër me 6 fishekë, lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe tre aparate celularë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin tip “Volkswagen”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Article bottom Rectangle3