Humb jetën pas infektimit me Covid një 31-vjeçar nga Vlora, 4 ditë më parë u nis për kurim në Turqi

161

Një 31 vjeçar nga Vlora ka ndërruar jetë mesditën e sotme si pasojë e Covid-19. Bëhet me dije se i riu që ka ndërruar jetë është Myrtezan Memushaj që shikoni në foto.

Raportohet se i riu prej ditësh ishte i shtruar në një spital Covid dhe nuk kishte vuajtur më herët nga sëmundje të tjera.

Gjendja e tij ishte përkeqësuar, ndaj 31-vjeçari, katër ditë më parë u nis për në Turqi për mjekim më të specializuar.

Pavarësisht përpjekjeve të familjarëve të tij duke e dërguar jashtë vendit për kurim, i riu nuk ka mundur dot që të mposhtë Covid, dhe ka ndërruar jetë në spitalin turk.

Në ditët e fundit situata e Covid në vendin tonë është ende shqetësuese. Rastet e fataliteteve janë përhapur dhe në radhët e të rinjve dhe personave që nuk kanë pasur më herët sëmundje të tjera.

Jo më larg se dy ditë më parë një 32-vjeçar nga Belshi ndërroi jetë në spitalin Covid 2 në Tiranë. Ekspertët e lidhin këtë shtim të rasteve të rënda me qarkullimin e mutacioneve të reja të koronavirusit, kryesisht atij britanik, që është konfirmuar dhe nga ISHP.