Ballina BOTA Holandë, mesha nuk ndalon që prej gjashtë javësh, mbrojnë familjen armenase nga...

Holandë, mesha nuk ndalon që prej gjashtë javësh, mbrojnë familjen armenase nga deportimi

Ka hyrë në javën e saj të gjashtë mesha që mbahet në Kishën Bethel, në Hagë të Holandës, meshë e cila filloi me qëllimin për të mbrojtur nga deportimi një familje armenase. Autoritetet holandeze i kanë mohuar të drejtën për azil familjes me pesë anëtarë, gjë që ka sjellë reagimin e publikut, duke gjetur kështu një mënyrë shumë origjinale për të penguar deportimin e tyre.

Bazuar në ligjet në fuqi, në Holandë, autoritetet shtetërore nuk mund të hyjnë në asnjë objekt kulti, për sa kohë aty zhvillohet një ceremoni fetare. Familja armenase, e përbërë nga dy prindërit dhe tre fëmijët e tyre, është strehuar në Kishën Bethel, ku mesha nuk pushon që prej gjashtë javësh tashmë.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë së Holandës, Armenia nuk bëjnë pjesë në ato vende, ku qytetarëve u rrezikohet jeta për shkak të bindjeve politike ose fetare. Për këtë arsye, familjes iu mohua kërkesa për azil. Familja armenase kishte gati 9 vjet që qëndronte në Holandë, ndërkohë që tani rrezikon deportimin.

Por, komuniteti i besimtarëve të Kishës Bethel në Hagë, në lagjen ku edhe banonte familja armenase, janë solidarizuar për t’i ndihmuar ata çdo kusht. Më shumë se 450 priftërinj dhe shumë vullnetarë nga Holanda, Gjermania dhe Franca i janë përgjigjur apelit, duke ardhur në kishë për të mbajtur gjallë flakën e shpresës.