Ballina LAJME Historia e pazakontë në Korçë, dy të rinj u harruan në burg...

Historia e pazakontë në Korçë, dy të rinj u harruan në burg për 1 vit

Dy 17-vjeçarë u harruan në burg për 12 muaj në qytetin e Korçës. Ata janë Jonadri Karaja dhe Luiz Hoxhalli, të cilët u arrestuan në Mars të 2018 për trafik droge, të mbetur në tentativë.

Në emër të tyre ka folur avokati, Nevzat Tarelli. Ai shprehet se “parashikohet që rregullat për të miturit janë po aq të zbatueshme se të rriturit, por me kufizimin që paraburgimi nuk mund të jetë më i gjatë se gjysma e paraburgimit të parashikuar për të rritur. Një i paraburgosur, në moshë të mitur nuk mund të mbahet në paraburgim pa u dërguar çështja në gjykatë më shumë se 6 muaj”.

Kjo neglizhencë, sipas avokatit Nevzat Tarelli ka ardhur për shkak të ndryshimeve që janë bërë së fundmi për kompetencat e Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe gjykatave të rretheve.

“Është rivlerësuar masa në Gjykatën e Korçës dhe ajo gjykatë ka qenë kompetente dhe nuk ka pasur kërkesë për transferim çështje. Me kodin e ri të procedurës penale për një peiudhë kohe u bë një konflikt kompetencash, se trafiku i drogës nuk është më kompetencë e Krimeve të Rënda, por gjykatës së rretheve dhe për shkak të një vendimi njehsues të Gjykatës së Lartë kjo po gjykohet te Krimet e Rënda”, shprehet avokati.

Shkelja ka vijuar zinxhir edhe në institucionet e tjera, e të miturit kanë vazhduar të qëndrojnë në paraburgim.

Avokati Nevzat Tarelli shprehet për mediat se “në atë periudhë ishte komeptente Gjykata e Korçës, nuk pati kërkesë për transferim të çështjes, ndërkohë prokuroria pas vendimit transferon çështjen te Krimet e Rënda, por nuk e transferon Gjykata. Kjo solli pasojë mosvlerësim të masës së sigurimit për një periudhë të gjatë kohe”.

Pas një viti në paraburgim, dy të miturit janë lënë me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa tashmë është duke u zhvilluar procesi.