Hiqen vizat me Serbinë, qytetarët mund të lëvizin vetëm me kartë identiteti

164

Që nga dje të gjithë qytetarët shqiptarë dhe ata serbë, mund të lëvizin pa kufizime, duke përdorur vetëm një kartë identifikimi.

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ka njoftuar se marrëveshja ka hyrë në fuqi në datën 20 janar.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se që prej datës 20 janar 2021, ka hyrë në fuqi marrëveshja ndryshuese ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë mbi lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve, – thuhet në njoftimin e MEPJ-së. – Tashmë, për të gjithë qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Serbisë do të cilësohen si të vlefshme këto dokumente: pasaportë, pasaportë diplomatike, pasaportë shërbimi, një dokument udhëtimi për hyrje (kthim) në Republikën e Shqipërisë, kartë identiteti biometrike”.

MEPJ, saktëson se “për shtetasit serbë që do të kalojnë kufirin shqiptar, do të cilësohen të vlefshme këto dokumente: pasaportë, pasaportë diplomatike, pasaportë shërbimi, leje kalimi, kartë identiteti biometrike”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Marrëveshja është nënshkruar në nëntor të vitit 2020, gjatë një takimi ‘online’ mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, në prani edhe të kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev.

Serbia bëhet kështu vendi i pestë (pas Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë Hercegovinës), ku qytetarët shqiptarë mund të lëvizin lirshëm vetëm duke paraqitur një kartë identiteti biometrike.