“Hija” prangos në Tiranë një shtetas të huaj, ekspert i krimeve kibernetike

24

Një operacion policor i koduar “Hija” ka vënë në pranga një shtetas të huaj.

Operacioni u krye gjatë së premtes nga “Njësia C – Hetimi i krimeve kibernetike” në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Pas një hetimi të shpejtë duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar dhe në kuadër të parandalimit të përshkallëzimit të situatës kriminale për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, si dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”, si rezultat i operacionit u ndalua shtetasi i huaj B. P., 45 vjeç, Për arsye hetimore nuk jepen të dhëna të tjera.

I ndaluari dyshohet se ka konsumuar veprat penale të përmendura më lart.

Materiali hetimor i administruar nga “Njësia e hetimit të krimeve kibernetike” kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se ky shtetas, nëpërmjet veprimeve të ndryshme, kryente komunikime nëpërmjet një aplikacioni mesazhimi në rrjet, të cilin e përdorte duke e lidhur me numrat e telefonave celular të shtetasve të tjerë.

Pas këtij veprimi, siguronte kodin e verifikimit të aplikacionit në forma të ndryshme nga këta shtetas, duke vënë në funksionim aplikacionin në aparatet e tij kompjuterike.

Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtij shtetasi, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 4 telefona celularë, një USB, 3 dokumente udhëtimi, 10 karta sim dhe dokumente të tjera të ndryshme.

Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe personat që mund të jenë të lidhur me këtë shtetas, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.