Ballina BOTA Hebrenjtë, të alarmuar nga rritja e antisemitizmit

Hebrenjtë, të alarmuar nga rritja e antisemitizmit

Hebrenjtë në Europë janë të alarmuar nga rritja e anti-semitizmit, pasi një në katër hebrenj të kontinentit të vjetër ka pësuar gjatë vitit të kaluar abuzime të kësaj natyre, disa edhe të dhunshme, e kjo pikërisht në kohën kur ministrat e Brendshëm të bllokut janë zotuar të shtojnë sigurime për komunitetet në fjalë.
Bashkimi Europian ka 508 milionë banorë, dhe hebrenjtë e Europës përbejnë rreth 0.2 përqind të popullatës së tij.

Në deklaratën e nxjerrë të enjten, ministrat e Brendshëm i kërkonin 28 vendeve anëtare te bllokut t’i shtojnë përpjekjet e tyre për të garantuar sigurinë e komuniteteve, institucioneve dhe qytetareve hebrenj, e kjo sepse, siç theksohet në dokument, urrejtja ndaj hebrenjve mbetet mjaft e përhapur.

Ministrat i nxiten shtetet anëtare ta shtojnë informacionin në arsim mbi holokaustin dhe kujtimin e tij dhe të trajnojnë zyrtarët anembanë bllokut për t’i regjistruar me saktësi të dhënat e krimeve nga urrejtja. Kongresi botëror hebraik konsideron se me këtë deklaratë të tij, Brukseli praktikisht e pranon se në këtë pikë, lipset që të kalohet seriozisht në veprim.

Edukimi është konsideruar përherë si element kyç në luftën kundër anti-semitizmit, u theksua në një konferencë të mbajtur në Dusseldorf, ku u evidentua se tendencat anti-semite janë përflakur nga konflikti në Lindjen e Mesme, dhe kundër kësaj ndjesie, shoqatat islamike dhe kishat duhet te punojnë bashkarisht mes tyre.