Ballina Aktualitet Hapet gara për kryeprokurorin e ri, zgjidhet ngërçi në KLP

Hapet gara për kryeprokurorin e ri, zgjidhet ngërçi në KLP

Prokuroria e Përgjithshme ka konfirmuar së fundmi se hapet zyrtarisht gara për kryeprokurorin e ri si kandidati i fundit për KLP.

Është tejkaluar më në fund edhe ngërçi i fundit, si pasojë e mungesës së një kandidati nga Prokuroria e Apelit, i përcaktuar si kusht në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

Ky përcaktim i hap rrugë zgjedhjes së kryeprokurorit me mandat të plotë shtatë vjeçar, si edhe ngritjes së organeve të reja të drejtësisë, konkretisht Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.

Prokurori Sheshi ishte i vetmi që kandidoi për fazën e dytë të KLP-së dhe plotëson kushtet e plota. Gara e parë dështoi sepse nuk pati asnjë kandidaturë, ndërsa gara e dytë rezultoi e suksesshme pikërisht për shkak të kandidimit të prokurorit të vetëm Bujar Sheshi. Kandidimi i prokurorit të Apelit të Krimeve të Rënda, Bujar Sheshi, erdhi vetëm pak ditë pas konfirmimit të tij në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.