Grumbullime për muzikë live, shoqërohen dy administratorë lokalesdhe 7 balerina në Durrës

85

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës i ushtruan kontrollet për parandalimin e përhapjes së Covid-19, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, pika 2, datë 15.03.2020, i cili është akoma në fuqi, për subjektet apo individët që organizojnë aktivitete publike dhe jopublike, si koncerte etj, në vende të mbyllura, si dhe të urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, datë 29.05.2020, “Për martjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19”.

Në vijim të kontrolleve, shërbimet e policisë kanë evidentuar dy subjekte me muzikë live që ushtronin aktivitetin në mënyrë të kundërligjshme.

Shërbimet e policisë kanë shoqëruar në ambientet e policisë dy administratorët e subjekteve dhe 7 balerina. Në përfundim të veprimeve të para u proceduan në gjendje të lirë shtetasit:

-B. K., 27 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua se në subjektin “Muzikë live”, në administrim të tij, në lagjen nr.13, Durrës, kishte organizim me muzikë në ambient të mbyllur.

-D. P., 60 vjeçe, banuese në Durrës, pasi shërbimet e Policisë kanë konstatuar se në subjektin “Muzikë live” në pronësi të saj, në Shkallnur, kishte organizim me muzikë në ambient të mbyllur.

Nga ana e ISHP-së janë marrë masa administrative ndaj subjekteve.

Ndërkohë ndaj të dyshuarve, materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

Policia apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19.