Ballina LAJME Greqi, rajonet veriore preken nga stuhitë e verës, gjashtë turistë humbin jetën

Greqi, rajonet veriore preken nga stuhitë e verës, gjashtë turistë humbin jetën

Gjashtë persona, të gjithë turistë të huaj, kanë humbur jetën dhe të paktën 30 të tjerë janë plagosur në një stuhi të fortë që përfshiu rajonet veriore të Greqisë. Gjatë natës së mbrëmshme, erëra të forta, të shoqëruara edhe me reshje shiu, përfshinë rajonin e Halkidikit, afër qytetit të Selanikut.

Një çift nga Çekia gjetën vdekjen, kur automjeti i tyre u përmbys. Në të njëjtën zonë, stuhia shkaktoi edhe vdekjen e rumunëve dhe dy rusëve.

Autoritetet greke shpallën gjendjen e jashtëzakonshme, duke e përshkruar situatën e krijuar si “fenomen të pashembullt”. Stuhia erdhi pas një moti shumë të nxehtë në Greqi me temperatura që shkonin deri në 37 gradë Celsius gjatë dy ditëve të fundit.

Njëkohësisht, dhjetra persona janë plagosur, katër prej tyre në gjendje kritike, dhe disa të tjerë janë ende të zhdukur. Shumë zona të Halkidikisë kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa ka edhe vështirësi në qarkullim për shkak të pemëve të rrëzuara.