Ballina RAJONI Greqi, grevë dhe protesta, bastiset Ministria e Financave

Greqi, grevë dhe protesta, bastiset Ministria e Financave

Ministria e Financave të Greqisë, e cila ndodhet në qendër të kryeqytetit grek, ditën e sotme u bastis nga një grevë 24 orëshe e punonjësve të pushtetit lokal, të cilët  protestuan kundër rregullores së qeverisë në lidhje me ndërprerjen e pagesave shtesë për punonjësit e shërbimit komunal.

Disa nga protestuesit arritën të kapërcejnë kordonin e policisë të vendosur përpara ndërtesës së ministrisë dhe u ngjitën në katin e 4 të ndërtesës ku ndodhet edhe zyra e ministrit të Financave, Efklidis Çakalotos.

Pasi nuk gjetën në zyrë ministrin Çakalotos u takuan me zëvendësministrin Stergios Piçiorlas dhe i kërkuan që pagesat shtesë për punonjësit e shërbimit komunal të mos ndërpriten, dhe u larguan nga ndërtesa pasi Piçiorlas u premtoi se do t‘ia përcjellë ministrit Çakalotos kërkesën e punonjësve.

Greqia ende është nën kontroll të rreptë nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pavarësisht përfundimit të programit të shpëtimit.