Grabitje me armë në Durrës

214

Një grabitje me dhunë ka ndodhur në një karburant në Fllakë të Durrësit.

Dy persona të armatosur janë afruar te pika e karburantit dhe kanë kërkuar nën kërcënimin e armëve dhe dhunës, që personi I cili kishte ardhur të mblidhte lekët e xhiros, tua jepte atyre.

Ka qenë ora 09.00 e mëngjesit të së dielës kur autorët morën pa rezistencë një shumë të hollash te pika e karburantit në Fllakë dhe u larguan në drejtim të paditur. Është e qartë se autorët ishin të informuar për lëvizjet në pikën e karburantit dhe kohën kur vinte njeriu i kompanisë për të mbledhur lekët e xhiros.

Policia lokale duke informuar për ngjarjen në superstradën Tiranë- Durrës, në Fllakë, tha se në sheshpushimin e pikës së karburantit, dy persona i kanë marrë me dhunë një sasi lekësh personit, i cili mbledh lekët e xhiros së karburantit. Menjëherë më pas janë larguar me një mjet.

Forcat policore kanë ngritur pika kontrolli dhe po punojnë për kapjen e autorëve.

Gjithashtu në kuadër të zbulimit të plotë të rrethanave të ngjarjes janë shoqëruar dëshmitarë nga vendi i ngjarjes.

Është rast i përsëritur që pika e karburantit pranë mbikalimit të Fllakës në Durrës grabitet me dhunë ashtu siç ndodhi edhe 5 vjet më parë, më 12 dhjetor 2016 kur tre persona rrëmbyen 200 mijë lekë dhe u larguan me një makinë tip Ford.