Ballina Kronikë Grabiste banesat në Gjermani, përfundojnë hetimet për ‘skifterin’ shqiptar

Grabiste banesat në Gjermani, përfundojnë hetimet për ‘skifterin’ shqiptar

Prokuroria ka përfunduar hetime për ‘skifterin’ shqiptar Gentjan Duraku, që grabiste banesat në Gjermani.

29-vjeçari nga Kukësi akuzohet se ishte pjesë e një grupi kriminal që grabiste banesa në Gjermani.

Autoritet gjermane kishin informacione, që nga nëntori i vitit 2015 në zonën e Offenburgut, të një grupi kriminal që kishte vjedhur disa banesave në territorin e shtetit gjerman, pjesëtarët të të cilëve ishin shtetas shqiptar.

“Pas hetimeve rezultoi se shqiptarët Elton Koçiu, Ervis Dalipaj, Ismet Sulaj, Gentjan Duraku, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, po shtetas shqiptar, kanë marrë pjesë në disa ngjarje, 50 vjedhje të banesave të shtetasve gjerman, të kryera gjatë viteve 2015-2016 dhe 2017, të cilët kanë vepruar në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke e shtrirë aktivitetin kriminal të tyre në territorin e Republikës së Gjermanisë, për një kohë të gjatë, me një organizim të tyre, duke bërë të mundur vjedhjen e sendeve të çmuara tek këto banesa, si orë, bizhuteri, pajisje komunikimi, metale të çmuara, automjete si dhe vlera monetare që ndodheshin nëpër këto banesa.  Një pjesë të vlerave monetare të përfituara, personat e lartpërmendur i kanë transferuar nga Gjermania për tek familjet e tyre në Shqipëri,”-raporton Prokuroria.

Vlerat monetare dhe materiale të përfituara nga vjedhja e banesave të shtetasve gjerman,  kanë qenë në shumën rreth 113  mijë euro.

“Elton Koçiu, Ervis Dalipaj, Ismet Sulaj, janë dënuar nga Gjykata e Landit Offenburg, Gjermani.

Ndërsa për Gentjan Duraku po paraqitet kërkesa për t’u gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë,”-raporton Prokuoria.

Duraku akuzohet se ka kryer veprat penale “Vjedhja’’, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, kur ka sjellë pasoja të rënda,  “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.