Ballina OPINION Goditja me bojë, a i njolloset më fytyra Edi Ramës?

Goditja me bojë, a i njolloset më fytyra Edi Ramës?

nga Andi Bushati

Ka shumë pikëpyetje lidhur me aktin ekstrem të Edi Palokës, për të goditur me bojë stilografi, në fytyrë, kryeministrin e vendit.

Përtej gëzimit të atyre që ushqenjnë një urrejtje “ad personam” kundrejt Edi Ramës, të tjerë, kundërshtarë bazikë të tij, mund të shtrojnë dilemat:

A ishte e nevojshme boja, pas spektaklit me vezë të Endri Hasës dhe goditjes me çizme të Monikës?

A fiton pikë një opozitë politike duke u marrë personalisht Ramën, gjë që në çdo strategji komunikimi pranohet si një mënyrë për tu shmangur nga thelbi i politikave të kryeministrit?

A kanë nevojë PD-LSI të ndërmarin akte të tilla që zakonisht janë mjete të grupimeve të vogla ekstremiste, që i përdorin për të reklamuar idetë e tyre të margjinalizuara?

A shton diçka më shumë njollosja fizike e një politikani, kur opozita e ka kapur atë me preshë në duar si hajdut, e ka faktuar si vjedhës së zgjedhjeve, e ka vizatuar si bashkëfajtor të oligarkëve?

Ngritja e këtyre çështjeve të shpie në përgjigje dëshpëruese. Ato të bëjnë të mendosh së PD-ja po privilegjon betejën teatrale përpra asaj reale, se goditja me vezë ishte reagim ndaj pafuqisë për të djegur mandatet, se hedhja e çizmes ishte si justifikim ndaj pamundësisë për të bojkotuar zgjedhjet, se shiringa me bojë ishte pavendosmëri për ta lënë Ramën fillikat, mes sistemit të kapur prej tij.

Gjithkush që vret pak mendjen e kupton se një forcë që ka në dorë akte politike (si braktisja përfundimtare e kuvendit, apo refuzimi për të hyrë në betejën lokale të qershorit) nuk ka pse ndërmer nisma kozmetike.

Gjithkush që e njeh politikën, e di se me mjekrën e llangosur me bojë, apo me kostumin e përlyer me vezë Edi Rama mund të luajë më mirë rolin e mëshirueshëm të viktimës, sesa po t’a lësh atë të duket si autokratin e një vendi, ku partia e vetme e tepsisë ka asgjesuar pluralizmin politik.

Në këtë kuptim, kjo lloj strategjie jo vetëm që nuk jep asnje rezultat, por ajo varros radikalizmin serioz duke e zëvendësuar atë me protagonizëm fotografik.

Po atëherë, shtrohet pyetja, a ishte i gabuar akti i Palokës? A e dëmton ai kauzën e opozitës?

Boja e hedhur sot në kuvend, mund të justifikohet vetëm në një drejtim.

As si akt për të njollosur Ramën, sepse tashmë këtë mision opozita e ka përmbushur, as si mjet për të treguar se ai është i paprekshëm, sepse edhe këtë e ka provuar, por thjeshtë si një gjest, simbolik, për të garantuar ata që do të zbarkojnë në Tiranë në 16 shkurt.

Prej kohësh, tashmë, popullin e opozitës po e bren dyshimi se e gjitha është një lojë, se rolet janë të ndara, se mes kryeministrit dhe kundërshtarëve të tij ka një shkelje të heshtur syri në distancë dhe janë ata që duhen garantuar.

Në këtë kuptim, veprimi i Palokës, mund të përkthehet si shenja, se me këtë kryeministër koha e bashkëjetesës politike ka përfunduar. Se tani ka nisur periudha e konfrontimit fizik.

Vetëm si i tillë, në funksion të betejës së ardhshme, ai do të kishte një sens. Por ama me një kusht: pa parlament, pa zgjedhje dhe pa një 18 maj të dytë me Ramën. Sepse në të kundërt edhe boja edhe vezët edhe çizmet e flakura në ajër do ti ngjanin pështymës së hedhur lart, që dihet se ku përfundon.