Ballina Aktualitet Goditja e Sahit Dollapit, prokuroria nis hetimet për FNSH-në

Goditja e Sahit Dollapit, prokuroria nis hetimet për FNSH-në

Prokuroria e Tiranës merr nën hetim 8 punonjës të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Shkak për këtë hetim u bënë pamjet filmike të shfaqura në media mbrëmjen e 11 majit, në fund të protestës së thirrur nga opozita.

Sipas A2 CNN, në procedimin penal të hapur nga Prokuroria e Tiranës, përshkruhet momenti i dhunimit të sekretari organizativ në Partinë Demokratike Sahit Dollapi, i cili pas asaj nate është shoqëruar në polici dhe më pas në Spitalin e Traumës me plagë.

“Nga këqyrja e pamjeve vihet re një person civil, i identifikuar si Sahit Dollapi, i cili komunikon me një punonjës policie dhe më tej shkëputet nga ai dhe fillon të vrapojë. Pasi bën disa metra me vrap, rrëzohet në rrugë. Më tej, vërehet se një grup punonjësish policie, të veshur me pajisjet mbrojtëse, afrohen me vrap drejt Sahit Dollapit, tashmë i rrëzuar dhe e godasin me shkop gome disa herë. Pas këtij momenti, Sahit Dollapi ngrihet në këmbë i shoqëruar me një grup prej 7-8 punonjës policie të repartit FNSH” – thuhet në relacionin e prokurorisë.

Protesta e 11 majit është konsideruar dhe si protesta më e dhunshme. Në këtë procedim janë marrë 80 persona, nga këta 50 të arrestuar nën akuzë dhe 30 të hetuar në gjendje të lirë. Jashtë këtij hetimi nuk do të qëndrojnë as ish-deputetët, Gazmend Bardhi, Flamur Noka dhe Gent Strazimiri.

Ndaj tyre prokuroria ka nisur një procedim penal duke pretenduar se kanë shkelur nenin 262 të kodit penal. Ata janë marr në hetim për akuzën e organizmit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme.