Goditet grupi kriminal në Korçë, në pranga 7 persona për trafik droge

109

Policia ka shkatërruar një grup të strukturuar kriminal, në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe shpërndarjes të drogave të forta në qarkun e Korçës.

Sipas policisë, bëhet fjalë për një ndërhyrje, e cila vjen pas dy operacioneve të tjera anti-drogë, të finalizuara më parë, “Lapidari” dhe “Pusteci”, më datë 08.11.2020 dhe 08.06.2020, ku pas një hetimi disa mujor, numri i të ndaluarve ka shkuar në 12.

Së fundmi janë arrestuar edhe 7 personat e tjerë (organizatori i grupit, poseduesit dhe transportuesit e lëndëve narkotike), bashkëpunëtorë me 5 të arrestuarit më parë nga policia.

Ndalimi u bë në bazë të vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit:

1-Ahmetion Myslimi, 23 vjeç, banues në Çiflig, Korçë (në rolin e transportuesit).

2-Mariglen Arapi, 32 vjeç, banues në Pojan, Maliq (në rolin e transportuesit).

3-Mario Tanellari, 37 vjeç, banues në Moravë, Korçë (i dënuar më parë për prodhim dhe shitje narkotikësh, në rolin e organizatorit të grupit).

4-Xheljan Ajdini, 28 vjeç, banues në Korçë (në rolin e poseduesit).

5-Elvi Tahiri, 39 vjeç, banues në Korçë (me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër jetës, subjekt i OFL-së për të deklaruar pasurinë, në rolin e poseduesit).

6-Niko Janko, 53 vjeç, banues në Moravë, Korçë (në rolin e poseduesit).

Si dhe u arrestua në flagrancë shtetasi

7-Mikail Mejdi, 33 vjeç, banues në Borovë, Kolonjë (në rolin e poseduesit).

Të arrestuar më parë:

8-Redin Naçi

9-Ismail Matja

10-Artur Bezo

11- Aleks Qiqi

12-Sergi Xhaferi

“Falë një pune intensive hetimore dhe provave të grumbulluara, u bë e mundur që në fazën e dytë të operacioneve “Lapidari” dhe “Pusteci”, të finalizuar më datë 08.11.2020, 14.01.2021, në Vithkuq-Korçë dhe Cerje-Pustec, si edhe ngjarjes së ndodhur më datë 08.06.2020, në Kolonjë, të dokumentohej me prova ligjore, implikimi i 7 shtetasve të lartpërmendur në aktivitetin e paligjshëm që ushtronte ky grup i strukturuar kriminal.

Konkretisht lidhur me operacionin e koduar “Pusteci”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit R. N. dhe I. M. dhe u sekuestrua në cilësinë e provës 21 kg e 500 gr, lënde e dyshuar narkotike kanabis, nga hetimet e kryera rezultoi se transportues të lëndës narkotike përveç dy të arrestuarve ishin edhe shtetasit A. M., dhe M. A. Në rolin e organizatorit të këtij grupi rezulton të jetë shtetasi M. T., dhe posedues të sasisë së lëndës narkotike shtetasit Xh. A. dhe E. T.

Në lidhje me operacionin “Lapidari”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. B. dhe A. Q. dhe u sekuestrua 2 kg e 100 gr lëndë e dyshuar narkotike kanabis, u dokumentua se lënda narkotike ishte blerë për shtetasin M. T.

Si edhe në lidhje me ngjarjen e datës 08.06.2020, ku në Kolonjë u arrestua në flagrancë shtetasi S. Xh. dhe u sekuestrua 6 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë, u dokumentua se të implikuar në këtë ngjarje ishin shtetasit N. J. dhe M. M., në lokalin e të cilit në Ersekë, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi të dyshuar narkotike kanabis.

Në cilësinë e provës materiale në ngjarjet e mësipërme u sekuestruan në total 23 kg e 600 gr sasi e dyshuar narkotike kanabis; 6 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë; 1 armë gjahu teke; 7 automjete; 16 celularë; sasi në lek dhe euro”, njofton policia.