Gjysma e të rinjve në Kosovë të papunë, 60% duan të ikin nga vendi

32

Gjysma e të gjithë të rinjve në Kosovë janë të papunë. Ndërsa, rreth 60% e të rinjve do të largoheshin nga vendi nëse u jepet mundësia. Të dhënat ndër vite të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës kanë treguar se papunësia në Kosovë ka qenë në vazhdimësi e lartë. Në vitin 2019, sipas ASK-së, papunësia ishte 25.7 për qind.

Situata e krijuar në Kosovë nga  COVID-19, ka ndikuar në humbjen e vendeve të punës, rënie të aktivitetit ekonomik dhe rrjedhimisht rritje të shkallës së varfërisë.

Në Kosovë, të dhënat e disa mekanizmave tregojnë se numri i familjeve të cilat hyjnë në kategorinë e familjeve të varfra është rritur gjatë kësaj kohe.

Hiç më mirë nuk qëndron as situata me rininë e Kosovës. Madje, po del se gjysma e tyre nuk janë duke punuar fare.

Instituti GAP përmes një publikimi në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë ka treguar se aktualisht në Kosovë janë 49.4% e të rinjve janë të papunë.

Aty thuhet gjithashtu se në këtë ditë duhet të reflektohet mbi sfidat me të cilat përballen të rinjtë.

“Dita Ndërkombëtare e Rinisë! Kjo është një ditë për të reflektuar mbi sfidat me të cilat përballen të rinjtë. Të dhënat tregojnë për një situatë të vështirë për të rinjtë në Kosovë: “ 49.4% e të rinjve kosovarë janë të papunë. Mbi 32% e të rinjve janë të papunë dhe nuk vijojnë shkollën e as trajnim.  Vetëm 21% e të rinjve janë shumë të kënaqur me cilësinë e arsimit. 59% e të rinjve do të largoheshin nga vendi nëse u jepet mundësia”, thuhet në publikim.

Kurse, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së pavarur të sektorit privat, ka treguar se çdo ditë punëtorët po mbesin pa punë dhe se nuk po marrin më asnjë ndihmë nga shteti.

“Qeveria e Kosovës nuk ka marrë asnjë obligim për këta punëtorë që po humbin punën çdo ditë. Është një gjendje e rëndë. Kompanitë kanë rifilluar punën, por punëtorët nuk janë thirrur të fillojnë punën. Tani për tani, pjesa dërrmuese e punëtorëve në sektorin privat nuk e ka pagën 100 për qind; ata marrin diku 60 për qind, pasi që pronarët e kompanive po thirren në atë se nuk janë ndihmuar nga shteti dhe nuk mund t’i paguajnë punëtorët”.

Mbylla e detyrueshme e bizneseve dhe kufizimi i aktiviteteve ekonomike për të frenuar përhapjen e koronavirusit, ka bërë që shumë të punësuar të pezullohen nga puna. Një hulumtim i organizatave ekonomike në Kosovë pati vënë në pah se 30 për qind e ndërmarrjeve të anketuara janë deklaruar se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve.

Punëtorët, të cilët janë pezulluar apo larguar nga puna pas muajit maj, nuk përfshihen në Pakon Emergjente Fiskale të Qeverisë së Kosovës dhe as në ndonjë pako tjetër. Aplikimi për të përfituar nga kjo pako është mbyllur më datën 15 maj.

Pakoja emergjente fiskale, në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh, kishte paraparë që punëtorët që kanë humbur vendin e punës, pas shpalljes së masave emergjente, të përfitojnë nga 170 euro për dy muajt e ardhshëm (prill dhe maj).

Të dhënat ndër vite të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) kanë treguar se papunësia në Kosovë ka qenë në vazhdimësi e lartë.

Në vitin 2019, sipas ASK-së, papunësia ishte 25.7 për qind.

Rritja ekonomike mesatare në Kosovë prej 4 për qind nuk ka arritur t’i zbusë këto probleme. Sipas parashikimeve të Bankës Qendrore të Kosovës, pandemia COVID-19 do të ndikojë në një ulje të rritjes ekonomike nga -2 deri në -4 për qind.

Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017. Këto të dhëna tregojnë se mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës, jetojnë në varfëri.

Sipas këtyre të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18 për qind e popullatës në Kosovë jeton në varfëri me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë./monitor.