Ballina Aktualitet Gjyqtarë e prokurorë vrapojnë drejt avokatisë, 50 kërkesa për licencë para përgjigjeve...

Gjyqtarë e prokurorë vrapojnë drejt avokatisë, 50 kërkesa për licencë para përgjigjeve nga vettingu

Gjyqtarë e prokurorë rendin të bëhen avokat për të mbetur pjesë e sistemit të drejtësisë nëse vettingu do ti shkarkoj nga detyra. Media ka mësuar se mbi 50 gjyqtarë e prokurorë kanë aplikuar për t’u bërë avokat pranë dhomës kombëtare të avokatisë në testimin e fundit zhvilluar nga dhoma. Aktualisht ligji për avokatin e ndalon bërjen avokat të një prokurori apo gjyqtari që shkarkohet nga vettingu.

Ndërsa media mëson se ata që kanë aplikuar deri më tani për licencë avokati planifikojnë të japin dorëheqjen sapo të njihen me rezultatet e kontrollit të ushtruar ndaj tyre. Pjesë e avokatisë pas largimit nga sistemi i drejtësisë është bërë edhe ish kreu i gjykatës kushtetuese Bashkim Dedja.

Por si veprohet me ata të shkarkuar nga vetting që më parë kanë disponuar titullin avokat? Sipas dhomës së avokatisë kontaktuar nga media ata mund ta ushtrojnë të drejtën e këtij profesioni ndërsa të shkarkuarit pas cdo seance që nuk e kanë pasur licencën nuk mund ta marrin dhe nuk mund të ofrojnë këtë shërbim.

Pas 48 orëve pritet që komisioni i pavarur i kualifikimit njohur ndryshe si vetting të nis me seancat dëgjimore me listën prioritare të kandidatëve për SPAK. Në këtë listë shumica janë prokuror të krimeve të rënda nga ku pritet që të përzgjidhen dhe 15 kandidatët për SPAK, prokuroria e posacme kundër krimit dhe korrupsionit.

Të mërkurën kalon në sitë Shkëlzen Cena, kandidat për SPAK-un, i cili aplikoi i katërti pas hapjes së garës nga KLP-ja. Burime për media pohojnë se brenda qershorit përfundon vettingu për listën prioritare të SPAK. Më 5 Qershor në vetting edhe kreu i prokurorisë Krujë Petrit Ceno. Procesi i vettingut deri më tani ka nxjerr jashtë sistemit mbi 50 gjyqtarë e prokurorë pjesë e këtyre edhe mbi 30 të vetëlarguar me dorëheqje.