Ballina OPINION Gjuetia e vetmuar e Edi Ramës

Gjuetia e vetmuar e Edi Ramës

nga Enton Abilekaj

Eshtë e lehtë të dallohet se si fushata propagandistike është shndërruar në gjueti shtrigash me përfshirjen direkte të Ramës. E filloi të enjten në Parlament, me protestuesit e Unazës së Re, e vazhdoi të premten nëpër takime apo rrjete sociale me gazetarët. Ndërkohë që hallexhinjtë protestonin dhe gazetarët raportonin, hunda e tij futej nëpër shtëpitë e kundërshtarëve, nuhaste pluhurat e të pëgërat, për t’i demaskuar pastaj përpara shqiptarëve.

Nuk është hera e parë që një Kryeministër bën gjueti shtrigash, por është hera e parë që i bën vet të gjitha rolet. Paraardhësit e tij kanë preferuar që këtë punë tua bënin zagarët, ata i fusnin hundët dhe ata lehnin pas gjahut për ta nxjerrë tek shtegu që donte i zoti. Ky i Ramës, është rasti kur i zoti, i pakënaqur nga zagarët, e bën vet punën e tyre. Nuhat dhe leh me dufin ndaj tufës së zagarëve të paaftë dhe me urrejtjen ndaj gjahut të pabindur. Është vonë kur kupton që nuk është faji i zagarëve, që gjahu nuk qenkan lepuj, as derra të egër e as drerë, por qenie inteligjente që e dinë dallimin mes zagarit dhe rrezikut. Kështu gjahtari kthehet në zagar dhe zagarët mallkojnë moratoriumin e gjuetisë që i la pa zotërinj.

Që nga e enjtja megjithatë, ata që do vendosin të flasin kundër, duhet që më parë të pastrojnë shtëpinë, të derdhin plehrat, të fshijnë pluhurat, të lajnë rrobat. Përpara se hunda e Kryeministrit të futet në jetët e tyre. Hunda solitare e komshiut apo hasmit, apo edhe bashkësia e hundëve të lagjes, le të nuhasin gjithçka, rëndësi ka që gjithçka të pastrohet pa e futur hundën Kryeministri sepse, pas kësaj, e mer vesh gjithë bota, ai e nxjerr në Parlament, në kulmin e audiencës, gjithë ç’ka nuhatur.

Nëse do protestosh se po të prishin shtëpinë te unaza e re, po të lënë pa strehë në kundërshtim me të drejtat elementare të njeriut, po të dëmshpërblejnë me shumë qesharake megjithëse e ke shtëpinë të legalizuar, kujdesu më parë të pastrosh shtëpinë dhe biografinë. Nuk janë spunët e 80 lekëve, nuk janë denoncuesit vullnetarë, as agjentët rrogëtarë të Sigurimit të Shtetit, as Gestapo, KGB, as CIA apo Mossad, është vetë Kryeministri që po të ruan, duke sfiduar shërbimet dhe regjimet, spiunët dhe fuksat, thashethemexhinjtë dhe telendarët.

Nëse do të denoncosh megavjedhjen që po prish shtëpitë te Unaza e Re, faktin që firma Viktoria 2, bëri një projekt për të fituar disa miliona euro mbi fatkeqësinë e 2000 njerëzve, e joshi Kryeministrin ta miratonte, pastaj me një tender të paligjshëm u ndanë 40 milionë euro mes miqve dhe ortakëve, pastaj vendosën t’i flakin në rrugë dhe t’u prishin investimin e jetës 370 familjeve, duhet të kontrollosh më parë veten. Vrojto në çdo dhomë, kujtohu për çdo episod të së shkuarës, pyet familjarët për çdo detaj të jetës, se hunda që thith gjithcka, do ta gjejë dhe do ta marrësh vesh në nga ekrani i TV apo i celularit.
Nëse do t’i thuash Ina Nukës, se zjarrin në oborrin e Parlamentit e ndezi Kryeminstri, me një akt pabesie ndaj banorëve, që u premtoi sqarim dhe bëri demaskim e denigrim, nëse do t’i thuash se gishtat e saj, vërtetë humbën nga një kapsollë e një 18 vjeçari të papjekur që nuk e kupton vlerën e jetës së njeriut, por vlerën e jetës e ka kthyer në çmim Edi Rama, fol më parë me kushërinjtë. Kujdesu që në fis mos të kesh të dënuar, antiparti apo të hetuar. Nuk është mirë ta dëgjosh nga goja e Kryeministrit në Parlament.

Nëse do të thuash se taktika e Rilindjes është e njëjtë me atë të bandave që grabisin bankat, që ndezin një zjarr diku larg për të tërhequr vemendjen e policisë dhe publikut dhe pastaj grabisin bankën dhe ata pak njerëz që e mbrojnë, sic po ndodh tek Unaza e Re, apo fikin kamerat e Televizioneve, ashtu si banditët fikin kamerat e bankave përpara se të vjedhin, sic bënë te Bulevardi i Ri, ulu për një kafe me shokët. Paralajmëroi që po t’i kenë bërtitur gruas, po të jenë dehur ndonjë ditë a natë, po të kenë sharë makinën që ecën shpoejt në shi dhe i lag duke ngritur ujin, do tua përmendë Kryeministri në Parlament.

Pas 5 vjetësh qeverisjeje, i lodhur nga e vërteta e bëmave të tij, ka vendosur të bëjë gjithcka vet. Pa asnjë problem me ndërgjegjen e kryeqeveritarit, nuk lë fjalë të mirë pa thënë për Elvis Roshin, Arben Nokën, Mark Frrokun e të tjerë të kërkuar e të dënuar nga drejtësia europiane dhe nuk lë fjalë të keqe pa thënë për policët dhe gazetarët denoncues. Kështu, ai që u votua për të qenë kryembrojtësi i ligjit, është bërë kryeshkelësi i ligjit dhe moralit.

(marrë nga lapsi.al)