Ballina LAJME Tiranë, ministrja Gjonaj: Jo fondeve publike për të dënuarit si pjesë e...

Tiranë, ministrja Gjonaj: Jo fondeve publike për të dënuarit si pjesë e organizatave kriminale

Paraditen e së premtes, Këshilli i Ministrave miratoi një paketë ndryshimesh ligjore që ndalon përfitimet e të mirave publike nga persona fizikë apo juridikë, të dënuar për një sërë veprash të rënda penale që lidhen me krimin e organizuar, trafikimin, terrorizmin dhe korrupsionin.

Vendimin e bëri publik ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj, e cila në një deklaratë për mediat u shpreh se falë kësaj pakete, me hyrjen në fuqi të këtyre masave do të ndalohet çdo lloj mundësie që kjo kategori individësh, shoqërishë tregtare apo aksionerë dhe përfaqësuesit e tyre të përfitojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë, apo mbështetje financiare nga fondet publike për ushtrimin e aktivitetit të tyre fitimprurës.

“Lufta jonë frontale ndaj kriminalitetit shënon sot një zhvillim të ri. Nëse deri më sot, në bazë të ligjeve në fuqi, përjashtoheshin nga përfitimi i fondeve publike vetëm subjektet juridikë të dënuar më parë, me hyrjen në fuqi të paketës së re do të përjashtohen edhe aksionerët, administratorët, apo individë të tjerë me rol vendimmarrës në këto shoqëri tregtare, të cilat janë ose kanë qenë të dënuar nën cilësinë e tyre individuale,” – u shpreh ministrja Gjonaj.

Sipas saj, këto ndryshime janë në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian dhe standardet ndërkombëtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.