Gjobiten bizneset në Durrës e Krujë, nuk hoqën dorë nga riorganizimi i dasmve

33

Efektivët e policisë Krujë, proceduan penalisht Xh.B., 46 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi si pronar i një subjekti në Fushë Krujë, i cili ishte ndëshkuar tre herë me masë administrative me nga 1.000.000 lekë gjobë, si dhe me mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore, u konstatua përsëri nga shërbimet e policisë duke organizuar ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ.

Ndërkohë efektivët e policisë Durrës në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar në Spitallë, Durrës, subjektin në pronësi të shtetasit S.P., i cili u konstatua duke ushtruar aktivitet në mënyrë të përsëritur me Aktin Normativ, për herë të dytë.

Për këtë subjekt, shërbimet e Policisë Durrës, kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë dhe mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore, pasi u konstatua duke organizuar ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë pronarët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.