Ballina Shëndetësi Gjethet e mentes, jo vetëm aromatike por me vlera për shëndetin

Gjethet e mentes, jo vetëm aromatike por me vlera për shëndetin

Gjethet e mentes konsiderohen si një barishte aromatike për pije të caktuara ose për qetësimin e stomakut. Në të vërtetë, gjethet e mentes ofrojnë një pasuri të madhe vlerash, mineralesh, vitaminash dhe përfitimesh shëndetësore që shkojnë përtej qetësimit të stomakut.

Studimet shkencore kanë konfirmuar se gjethet e mentes përmirësojnë funksionet e trurit, përmirësojnë shëndetin e sistemit tretës dhe rivendosin ekuilibrat hormonalë.
Përfitimet që merr organizmi nga gjethet e mentes janë këto:

Përmirësimi i shëndetit të sistemit tretës

Mentja ka aftësi qetësuese për stomakun, falë përmbajtjes së mentolit që qetëson muskujt në këtë sistem. Mentja është veçanërisht e mirë për njerëzit që vuajnë nga sindroma e zorrës së irrituar. Ky problem manifestohet me dhimbje abdominale, konstipacion, diare, të përziera, fryrje dhe kontraktime.

Kundër të ftohurës
Mentoli është përbërës i shumë medikamenteve kundër të ftohurës. Ai besohet të ketë aftësi të zhbllokojë rrugët e frymëmarrjes gjatë të ftohurës dhe të përmirësojë frymëmarrjen në përgjithësi.
Mentja si barishte rekomandohet të përdoret për të zbutur simptomat e të ftohurës.

Higjiena e gojës

Gjethet e mentes largojnë erën e keqe të gojës por edhe mikrobet dhe bakteret që gjenden aty. Ju mund të përtypni disa gjethe ose mund të pini çaj menteje dhe nenexhiku për të përmirësuar higjienën dentare.

Funksionet e trurit

Studimet shpjegojnë se aroma e mentes mund të përmirësojë fuqinë e trurit dhe aftësitë e tij. Kjo aromë që vërehet tek mentja dhe nenexhiku apo barishtet e tjera të të njëjtës familje përmirësojnë kujtesën dhe vëmendjen.

Mban larg lodhjen dhe ankthin

Aroma e mentes apo nenexhikut largon lodhjen dhe ankthin por edhe stimulon sistemin qendror nervor. Ndonëse ajo mund të konsumohet në sasi të vogla, mentja dhe simotrat e saj janë burime të mira të vitaminës A, hekurit dhe manganit.
Në mjekësinë popullore kineze, gjethet e mentes janë të dobishme për shëndetin e mëlçisë, mushkërive dhe sistemmin tretës.