Ballina BOTA Gjermani, penalizim për azilkërkuesit që gënjejnë

Gjermani, penalizim për azilkërkuesit që gënjejnë

Për Ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, nëse azilkërkuesit e refuzuar fshehin identitetin do të humbasin “duldung“-un, lejen e përkohshme të toleruar. Planet janë ende duke u përgatitur.

Agjencia e lajmeve, AFP dhe gazeta “Die Welt” citojnë një draft të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Berlin: “Kush e pengon dëbimin e tij vetë, për shembull, duke u dhënë të dhëna të gabuara autoriteteve për identitetin apo nënshtetësinë ose nuk bashkëndihmon në sigurimin e pasaportës, nuk do të marrë në të ardhmen më “duldung” –(lejen e përkohshme të toleruar të qëndrimit.) Ky i huaj do të pajiset vetëm me një leje që shënon, se ai është i detyruar të largohet nga Gjermania, raporton gazeta “Die Welt”. Synimi i këtij ashpërsimi ligjor është të ndahen azilkërkuesit e refuzuar që e pengojnë vetë dëbimin e tyre nga ata që për arsye të njohura nuk mund të dëbohen, sepse nuk kanë pasaportë, kanë arsye të forta humanitare që flasin kundër dëbimit apo në rajonin e banimit të personit nuk ka fluturime për shkak se është një rajon krize.