Ballina BOTA Gjermani, policia bastis Deutsche Bank, në hetim për pastrim parash

Gjermani, policia bastis Deutsche Bank, në hetim për pastrim parash

Selia e Deutsche Bank në Frankfurt është bastisur nga prokurorët në kuadër të një hetimi për pastrim parash pasi pretendohet se dy anëtarë të stafit kanë ndihmuar klientët që të pastrojnë paratë nga aktivitetet kriminale.

Mëngjesin e sotëm makina të shumta të policisë u panë jashtë godinës ku ndodhe selia e bankës më të madhe në Gjermani e ndërkohë, zyra të tjera të Deutsche Bank u kontrolluan gjatë një operacioni ku u përfshinë rreth 170 efektivë policie dhe zyrtarë.

Prokurorët po hetojnë nëse stafi i bankës Deutsche ndihmoi klientët që të hapnin llogari “off-shore” për transferimin e parave të ardhura nga aktivitetet kriminale.

Hetimi nisi pas zbulimit të Panama Papers 2016, një sasi e madhe informacioni rrjedhur nga një nga kompanitë më të fshehta në botë, një firmë ligjore panameze e quajtur Mossack Fonseca.