Ballina LAJME Gjermani, ish-kancelari Schroeder apel Kosovës: Hiqni taksën ndaj Serbisë

Gjermani, ish-kancelari Schroeder apel Kosovës: Hiqni taksën ndaj Serbisë

Ish-kancelari gjerman Gerhard Schroeder ka komentuar zhvillimet e fundit për çështjen e Kosovës. Ish-kancelari gjerman ka deklaruar se është reale që Serbia më 2025 të hyjë në Bashkimin Evropian, por ai shtoi se Prishtina duhet ta heqë vendimin për taksën ndaj mallrave serbe dhe se ky është parakushti që palët të rikthehen në tavolinën e negociatave.

“Absolutisht, mendoj se vendimi për taksën është gjë e keqe. Mendoj se ato do të hiqen dhe nuk është vetëm mendim i imi personal, por mendim i Bashkimit Evropian dhe shteteve tjera se kjo duhet të ndodhë,” – u shpreh Schroeder për gazetën serbe Blic.

Schroeder, i cili gjatë vizitës së tij në Serbi do të takohet edhe me presidentin Aleksandar Vucic për të biseduar për mundësitë dhe të rejat e zhvillimeve ekonomike dhe politike në Serbi, ka thënë se është e nevojshme të arrihet një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës. “Dialogu ishte duke shkuar në rrjedhë të mire. Por, pastaj erdhi taksa. Shpresoj se do të hiqet, në mënyrë që të arrihen marrëveshje të caktuara për të cilat kemi dëgjuar në fillim të bisedimeve,” – ka theksuar ai.