Ballina Aktualitet Gjermani, fond rekord prej 164,4 milionë euro për Shqipërinë në 2019-2021

Gjermani, fond rekord prej 164,4 milionë euro për Shqipërinë në 2019-2021

Gjermania kthehet në donatorin më të madh të Shqipërisë. “Fokusi i fondit të ri prej 164,4 milionë euro do të jetë ekonomia, përmirësimi i jetës së njerëzve, ndihmesa për integrimin në BE dhe projektet e tjera rajonale,” – shkruan sot Deutsche Welle.

Një fond prej 164,4 milionë eurosh, që Qeveria Federale e Gjermanisë do t’i lëvrojë Shqipërisë për periudhën 2019-2021, është publikuar në përfundim të bisedimeve qeveritare mes dy vendeve për politikat në zhvillim. Bisedimet u zhvilluan në Tiranë, të kryesuara për palën shqiptare nga ministri i finanacave dhe ekonomisë Arben Ahmetaj, dhe për palën gjermane nga drejtori i Drejtorisë për Evropën Juglindore në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Schattenschneider.

Në një njoftim për shtyp nga Ambasada Gjermane në Tiranë, bëhet e ditur se, krahas fondit të përmendur më lart, Banka Gjermane për Rindërtim do të lëvrojë për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë një kredi prej 100 milionë eurosh. Prej korrikut 2016, Gjermania ka vënë në dispozicion të projekteve të përbashkëta me Shqipërinë 102,5 milionë euro, duke u shndërruar në donatorin e saj më të madh bilateral.