Ballina BOTA Gjermani, Angela Merkel largohet nga drejtimi i CDU

Gjermani, Angela Merkel largohet nga drejtimi i CDU

Delegatët e Partisë Kristian-Demokrate (CDU) janë mbledhur në Hamburg, ku do të zgjedhin sot pasardhësin, apo edhe pasardhësen, e Angela Merkel, e cila, gjithsesi, do të vazhdojë të mbetet kancelare.

Angela Merkel, kryetarja e deritanishme e CDU, u largua nga ky post pas 18 vitesh me një fjalim, i cili u përcoll me brohoritje dhe duartrokitje frenetike. “Ka qenë një nder i madh, një kënaqësi e madhe,” – tha Merkel, gjatë fjalimit të lamtumirës, fjalim që zgjati rreth 35 minuta. Merkel i bëri një rishikim të kohës së saj në krye të partisë, duke theksuar sukseset, por edhe dështimet në faza të ndryshme. Kancelarja tha se “tani ka ardhur koha për një kapitull të ri”, dhe ftoi partinë e saj që të mbetet e bashkuar.

Delegatët, sot pasdite, do të zgjedhin kreun e ri të CDU. Deri tani kanë kandiduar sekretarja e përgjithshme e CDU, Annegret Kramp-Karrenbauer, ish-shefi i grupit parlamentar në Bundestag, Friedrich Merz, dhe ministri i shëndetësisë Jens Spahn.