Ballina Aktualitet Gazetarja e VOA zbulon detaje nga takimi, Pompeo dhe Merkel do flasin...

Gazetarja e VOA zbulon detaje nga takimi, Pompeo dhe Merkel do flasin për Ballkanin

Gazetarja e Zërit të Amerikës, Keida Kostreci ka folur për takimin e sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo me kancelaren gjermane Angela Merkel që pritet të zhvillohet të martën.

Duke komentuar samitin e Berlinit, Kostreci tha se nuk ka pasur qëndrim zyrtar nga Uashingtoni por se një nga temat e takimit të nesërm do të jetë Ballkani duke përfshirë edhe çështjen e Kosovës.

“Në të vërtetë nuk ka pasur ndonjë qëndrim zyrtar. Ekspertët kanë shprehur disa qëndrime për samitin. Ka një dakordësi që nuk iu arrit ndonjë gjë dhe nuk u pa ndonjë rezultat për vazhdueshmërinë e bisedimeve. Është mirë të presim deri nesër kur Pompeo do takohet me Merkel dhe një nga temat është dhe Ballkani.

Qëndrimi kundër taksës dhe nxitja për rihapjen e negociatave. Ky ishte një proces i drejtuar nga Merkel dhe Macron e ndoshta nga nesër mund të presim një qëndrim nga SHBA, Pompeo”, – tha Kostreci.

E pyetur për një mospërputhje deklaratash nga zyrtarët amerikanë për çështjen e taksës, gazetarja e VOA-s tha se të gjithë janë shprehur kundër taksës.

“Nuk ka dalë ndonjë informacion se çfarë pritet nesër. Që ka pasur një angazhim të SHBA-ve në këto diskutime bëhet e qartë nga deklaratat e muajve të fundit. Bolton ka folur, Presidenti Trump dërgoi një letër. Ashtu si zyrtarët e lartë të SHBA kanë bërë thirrje për heqjen e taksës të njëjtën thirrje ka bërë edhe ambasadori i SHBA në Kosovë. Pra, nuk ka ndonjë mospërputhje.

Sa i përket procesit të Berlinit, është një proces europian. Kosova ka kërkuar një rol nga SHBA dhe kjo është e kuptueshme nga roli që ka luajtur SHBA.

Do ta shikoja angazhimin amerikan të nevojshëm, por do të thosha se ka gjëra të tjera që mund të ndërhyjnë në intensitetin e përpjekjeve të Uashingtonit”, tha Kosteci.