Ballina Aktualitet Gazeta zviceriane: Protesta e studentëve, manifestimi më i madh i Shqipërisë

Gazeta zviceriane: Protesta e studentëve, manifestimi më i madh i Shqipërisë

Protesta e studentëve në Tiranë mbi plotësimin e kërkesave të tyre, drejtuar qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka mundur të tërheqë edhe vëmendjen e shumë vendeve të tjera.

Gazeta e njohur zvicerane, Neue Zuercher Zeitung shkruan se protestat e studentëve e kanë vendosur establishmentin në Shqipëri nën presion.

Sipas gazetarit Volker Pabst, që ka publikuar një reportazh nga protestat, pakënaqësia shkon përtej problemeve të universitetit.

‘Ajo që nisi para 15 ditësh si një protestë e vogël e fakultetit të arkitekturës, është kthyer në një nga manifestimet më të mëdha të pakënaqësisë që ka njohur Shqipëria prej shumë vitesh.’

Sipas gazetarit, studentët kanë kërkesa konkrete dhe protesta e ka vendosur nën presion qeverinë.

‘Nën presionin e protestave, të cilat gëzojnë mbështetje të madhe jo vetëm në mesin e 130 mijë studentëve në vend, qeveria e Ramës e tërhoqi vendimin për tarifat e provimeve të mbetura. Përveç kësaj, Rama shprehu publikisht mirëkuptim për shqetësimet e studentëve dhe ra dakord për negociata. Një debat televiziv me demonstruesit ishte një dështim, pasi u pa shumë shpejt se panelistët ishin njerëz të socialistëve në pushtet’.

‘Studentët protestues refuzojnë çdo diskutim me qeverinë, por edhe me opozitën, pasi e shohin edhe atë si pjesë të një sistemi të korruptuar. Edhe përfaqësues zyrtar të protestës nuk ka akoma. Përkundër kërkesave konkrete, protestat janë gjithashtu një shprehje e pakënaqësisë shumë të madhe në shoqërinë shqiptare kundrejt elitës politike’.

‘Artisti Rama, që kur ishte kryebashkiak i ngjyrosi godinat e Tiranës, njihet në Perëndim kryesisht për shkak të karrierës dhe pamjes së pazakontë. Por korrupsioni dhe nepotizmi lulëzuan gjithashtu nën sundimin e tij. Kjo vlen edhe për arsimin, por edhe përtej:

Mungesa e transparencës në dhënien e kontratave publike me vlerë mbi 1 miliard euro, thuajse 10 përqind e prodhimit ekonomik vjetor, për disa kompani, ka shkaktuar zemërim të madh.

Ata që nuk kanë lidhje me pushtetin kanë pak shpresa në vend. Vetëm në pesë vitet e fundit, thuhet se mbi 400 mijë të rinj janë larguar nga vendi me një popullsi prej gati 3 milion. Sipas sondazheve të ndryshme, një në dy shqiptarë mendon ta provojë fatin e tij jashtë vendit’.