Ballina Sociale Gallup: Shqipëria me normën më të lartë në botë të të rinjve...

Gallup: Shqipëria me normën më të lartë në botë të të rinjve që duan të largohen

Mosha e re e popullsisë është konsideruar gjithnjë si e ardhmja e një vendi, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë social. Por mesa duket së fundmi kjo shpresë për të rinjtë shqiptarë po shuhet gjithnjë e më shumë.

Sipas një vrojtimi të “Gallup”, kompania konsulente për menaxhimin e performancës globale me bazë kërkimore në SHBA, Shqipëria rezulton me normën më të lartë në botë për të rinjtë që dëshirojnë të largohen nga vendi.

Me një diferencë të theksuarnë raport me vendet e tjera, 79 përqind e të rinjve shqiptarë nga 15 deri në 29 vjeç duan të largohen përgjithmonë nga Shqipëria.

Arsyet e ndryshme e të shumta të tyre si papunësia, kriza ekonomike, mungesa e së ardhmes si edhe humbja e shpresës, e shumë të tjera po i shtyjnë të rinjtë gjithnjë e më shumë drejt dëshirës apo largimit.

Tashmë largimi i tyre është shndërruar në një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë, një fenomen i cili ka pasoja të mëdha negative për të ardhmen e ekonomisë, financave publike, por edhe në rrafshin social.