Gabimi i OFL/I dërgon formularin e vetëdeklarimit të pasurisë të vdekurit prej 6 vitesh

41

Operacioni Forca e Ligjit i ka dërguar formularin për vetëdeklarim pasurie Shkëlzen Dumanit, një person i cili rezulton i vrarë që prej vitit 2014.

Policia e Shtetit nga ana proceduriale mund të jetë edhe në rregull pasi personi në fjalë nuk figuron i vdekur në dokumentat e shtetit.

Sipas familjarëve të tij, Shkëlzeni ka patur në pronësi një apartament e një makinë.

Pas vdekjes së nënës së tij në apartament nuk jeton më askush, ndaj familjarët e gjallë të të ndjerit e kanë kthyer pas formularin.

Shkëlzen Dumani, u vra teksa luftonte krah grupeve xhihadiste në vitin 2014 në moshën 39-vjeçare.

Dumani raportohet i varrosur në Siri pasi ushtarët e vdekur për luftën e shenjtë varrosen në tokën ku kanë luftuar.

Ai la pas fëmijët e tij, Evën dhe Endrin, teksa nëna e fëmijëve Mide Dumani, po lufton për ikthimin e tyre tek ajo.

Në njoftimin e OFL thuhet se Shkëlzen Dumani banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale “Rekrutimi i personave me qëllim kryerjen e veprave terroriste”, “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “Nxitja e urrejtjes ose e grindjeve”, duhet të plotësojë formularin e vetëdeklarimit për të justifikuar pasurinë e tij.