Ballina LAJME Futboll, zyrtarizohet transferimi, Icardi i bashkohet sulmit të Paris Saint-Germain

Futboll, zyrtarizohet transferimi, Icardi i bashkohet sulmit të Paris Saint-Germain

Vetëm pak orë nga përfundimi i merkatos, Paris Saint-Germain zyrtarizon transferimin në formë huazimi të argjentinasit Mauro Icardi. Klubi francez do të ketë opsionin për ta blerë sulmuesin në fund të sezonit për një shifër prej 64 milionë eurosh, megjithëse sulmuesi kishte zgjatur kontratën me klubin italian Inter deri në vitin 2022.

Gruaja, dhe njëkohësisht menaxherja e tij, Wanda Nara mbërriti më herët në Paris për të mbyllur negociatat me kampionët e Francës. Argjentinasi do t’i bashkohet skuadrës, duke krijuar një sulm të frikshëm me Mbappe, Neymar dhe Cavani.

Me ardhjen e trajnerit Antonio Conte te Inter, e ardhmja e sulmuesit ishte vënë në dyshim, pasi ai nuk bënte pjesë në planet e teknikut. Gjithçka u bë më e qartë me afrimin e Romelu Lukaku dhe Alexis Sanchez tek skuadra zikaltër. Mauro Icardi propozoi një kalim tek Juventus, por që nuk ndodhi pasi mungoi akordi mes dy skuadrave.

Përgjatë gjashtë viteve që kaloi te Inter, Icardi shënoi 124 gola në 219 ndeshje, duke u shpallur dhe lojtari më i mirë i vitit 2018 në Serie A.