Ballina LAJME Futboll, vendimi final për Skënderbeun, 10 vite jashtë Evropës dhe 1 milion...

Futboll, vendimi final për Skënderbeun, 10 vite jashtë Evropës dhe 1 milion euro gjobë

Pritjes i vjen fundi dhe futbolli shqiptar në përgjithësi dhe Skënderbeu i Korçës në veçanti ka marrë një goditje të rëndë dhe një njollë të zezë për opinionin sportiv. Gjykata e Arbitrazhit për Sportet ka marrë një vendim ekstrem për skuadrën e Skënderbeut, e cila ishte në një duel të fortë me UEFA, pasi pretendonte se është e pafajshme për akuzat për fiksim rezultatesh.

Megjithatë, Gjykata e Arbitrazhit për Sportet nuk i ka përfillur aspak kërkesat e korçarëve, duke lënë në fuqi dënimin me 10 vite të vendosur prej kohësh nga organi më i lartë i futbollit evropian. Skuadra shqiptare ka rezultuar fajtore në manipulimin e disa ndeshjeve gjatë kohës që ishte pjesë e grupeve të Europa League, kompeticion që arriti ta luaj në dy sezone.

Në hijen e dyshimeve është takimi i Lisbonës ndaj Sporting, humbur me shifrat 5-1, por dhe takime të tjera. Një goditje mjaft e fortë kjo për bardhekuqtë, që përpos dënimit me 10 vite pezullim nga kupat e ndryshme të Evropës, detyrohet të paguajë edhe 1 milion euro gjobë.